Hetimet për pastrim parash ndaj një 37-vjeçari nga Fieri vijojnë të thellohen, ndërsa autoritetet kanë sekuestruar së fundmi edhe një nga automjetet më të shtrenjta të tij.
Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Fier njoftoi se në kuadër të procedimit penal nr. 1162, datë 15.10.2020, për veprën penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, është sekuestruar automjeti tip ‘Lamborgini Urus Mansory’ në pronësi të shtetasit Arbër Muça.
Ky sekuestrim vjen si vazhdim i hetimeve pas sekuestrimit të mëparshëm të pasurive të tjera të Muçës, që përfshinin automjete të tjera luksoze, bizhuteri dhe vlera monetare me një total prej rreth 2 milionë euro.
Prokuroria ka regjistruar kryesisht edhe procedimin pasuror nr. 3 të vitit 2024 për këtë rast. Autoritetet dyshojnë se pasuria është krijuar nga aktivitet kriminal dhe po hetojnë burimin real të të ardhurave.
Ndërkohë, nuk dihet ende nëse ndaj Arbër Muçës do të ngrihet akuza për veprimtari kriminale apo nëse do të ketë të tjera sekuestrime në ditët në vijim. Hetimet vazhdojnë.
