Një lajm i trishtë ka mbërritur në redaksinë e JOQ Albania dhe tashmë është konfirmuar zyrtarisht: 26-vjeçari nga Shkodra, Igli Laceja, i cili rezultonte i zhdukur prej disa ditësh, është gjetur fatkeqësisht i pajetë në ujërat e Liqenit të Shkodrës.
Sipas njoftimit të Policisë, trupi i të ndjerit është zbuluar nga peshkatarët rreth orës 18:40 të pasdites së sotme. Autoritetet bëjnë me dije se nuk janë konstatuar shenja dhune, ndërsa hetimet vijojnë për të sqaruar plotësisht rrethanat e ngjarjes.
Paraprakisht dyshohet se i riu mund të ketë qenë duke vuajtur nga depresioni, çka e bën këtë ngjarje edhe më të rëndë. Grupi hetimor po punon për të zbardhur çdo pistë të mundshme.
Dy ditë më parë, redaksia e JOQ Albania kishte publikuar një thirrje publike nga familjarët e Igli Lacejës, të cilët kishin humbur kontaktet me të dhe bënin apel për ndihmë në gjetjen e tij. Për herë të fundit ai ishte parë në zonën e Perashit, Shkodër.
Ngjarja ka tronditur opinionin publik, ndërsa shumë qytetarë kanë shprehur ngushëllime në rrjetet sociale për ndarjen tragjike nga jeta të një të riu.
Redaksia jonë i shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjes, të afërmve dhe miqve të Igli Lacejës në këtë moment të vështirë.
Kjo ngjarje rikthen në vëmendje krizën e shëndetit mendor në Shqipëri – një problem i thellë që shpesh mbetet në hije për shkak të mungesës së ndërgjegjësimit dhe paragjykimeve që e shoqërojnë.
