Lëvizja Vetëvendosje ka reaguar për herë të parë pas protestës së organizuar në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së në Hagë. Zëdhënësi i VV-së, Arlind Manxhuka, përmes një deklarate publike, ka vlerësuar se protesta është “10 vjet e vonuar” dhe nuk mund të kompensojë mungesën e një qëndrimi të qartë të Hashim Thaçit ndaj Gjykatës Speciale.
Sipas Manxhukës, opozita aktuale ka pasur mundësinë që në vitin 2015 të kundërshtonte themelimin e kësaj gjykate, por nuk e ka bërë. Ai tha se historia e luftës çlirimtare dhe formimi i Gjykatës Speciale nuk mund të rishkruhen tani me protesta.
“Protesta është dhjetë vjet e vonuar. Është dashur që në verën e vitit 2015 të kundërshtohet pushteti i atëhershëm,” u shpreh Manxhuka.
Ai shtoi se Kosova nuk ka nevojë për gjykata speciale të jashtëzakonshme, por për institucione të drejtësisë të ndërtuara përmes vettingut dhe me një kryeprokuror të ri.
“Kosova ka nevojë për gjykata normale që dalin pas vettingut dhe për kryeprokuror të ri, jo për gjykata speciale jotransparente që janë jashtë praktikave ndërkombëtare,” theksoi ai.
Po ashtu, zëdhënësi i VV-së theksoi se vetëm për periudhën qeverisëse të Albin Kurtit, janë paguar mbi 33 milionë euro për mbrojtjen juridike të të akuzuarve në Hagë, duke përfshirë edhe shpenzime të tjera.
Ndërsa për deklaratat e fundit të ish-presidentit Hashim Thaçi, Manxhuka u shpreh kritik:
“Në intervistën e tij nga Haga para një jave, Thaçi ishte tepër i butë me Gjykatën Speciale. Protestat nuk mund ta zëvendësojnë apo kompenzojnë mungesën e qëndrimit të tij,” tha ai.
Ai përfundoi me një akuzë të drejtpërdrejtë ndaj opozitës, duke thënë se ajo ka përdorur rastin e të akuzuarve më shumë si mjet kundër qeverisë Kurti sesa për përkrahjen reale të tyre.
“Fatkeqësisht, në vitin e pestë që po mbahen në paraburgim ish drejtues të UÇK-së, është e qartë që partia kryesore opozitare çështjen e tyre e ka përdorur shumë më tepër kundër qeverisë Kurti sesa për lirimin e të akuzuarve,” përmbylli ai.
Reagimi i Vetëvendosjes vjen në një moment të ndjeshëm politik, kur përkrahja për ish-krerët e UÇK-së po kanalizohet përmes protestave publike. Por VV e pozicionon veten si një aktor institucional, duke e kthyer vëmendjen tek veprimet konkrete që ka ndërmarrë qeveria, sidomos përmes mbështetjes financiare për mbrojtjen në Hagë.
Në thelb, qëndrimi i VV-së është se legjitimiteti i luftës nuk mbrohet me emocione të vonuara, por me reforma të thella në sistemin e drejtësisë. Ata sfidojnë opozitën që të tregojë një qëndrim të vërtetë për të kaluarën, duke përkujtuar rolin e saj në themelimin e Gjykatës Speciale.
Në mënyrë të tërthortë, VV shfaqet e bindur se kjo çështje po shfrytëzohet për luftë të brendshme politike dhe jo për të kontribuar në lirimin e të akuzuarve. Kjo mund të jetë një përpjekje për të pozicionuar qeverinë Kurti si të vetmen forcë që e trajton këtë çështje me përgjegjësi shtetërore dhe jo përfitim politik.
