Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Drejtues Madhor Ilir Proda, ka vlerësuar me mirënjohje Inspektor Klajdi Mustajn për ndërhyrjen e tij të guximshme gjatë një aksidenti në aksin rrugor Levan-Fier, ku shpëtoi tre qytetarë.
Me këtë rast, inspektorit iu dorëzua “Certifikata për Shërbime të Dalluara” si shenjë respekti për guximin, profesionalizmin dhe përkushtimin e treguar në shërbim të jetës së qytetarëve.
Proda theksoi se veprimi i Mustajt është shembull frymëzues për të gjithë trupën policore, duke nënvizuar se angazhimi, ndershmëria dhe humanizmi duhet të jenë pjesë e përditshme e misionit të Policisë së Shtetit.
Inspektor Mustaj është pjesë e Policisë së Shtetit prej shkurtit 2024, pas përfundimit të Kolegjit Profesional për Patrullë të Përgjithshme. Ai ka studiuar Shkencat Juridike dhe aktualisht ndjek studimet e nivelit Master.
Ky rast është një kujtesë se misioni i Policisë nuk kufizohet vetëm në zbatimin e ligjit, por edhe në mbrojtjen e jetës. Veprimet e Inspektor Mustajt tregojnë se guximi dhe përkushtimi individual mund të bëhen shembull për gjithë shërbimin policor dhe të forcojnë besimin e publikut te institucionet e sigurisë.
Burimi: Policia e Shtetit
