Tensionet politike në Serbi kanë marrë përmasa të dhunshme pas incidentit të fundit në qytetet Vrbas dhe Baçka Palanka, ku mbështetës të presidentit Aleksandar Vuçiç dhe partisë së tij SNS organizuan kundër-tubime përballë protestave të paralajmëruara nga qytetarët.
Sipas raportimeve, grupet e mbështetësve të Vuçiçit vepruan në mënyrë të sinkronizuar duke sulmuar protestuesit me fishekzjarrë, mjete të tjera piroteknike, vezë dhe shishe. Në Vrbas, përplasjet ishin veçanërisht të ashpra, ku demonstruesit u goditën nga një breshëri fishekzjarrësh dhe objekte të forta.
Policia ndërhyri vetëm pasi situata degradoi në përplasje fizike mes dy palëve, duke ndërprerë bllokadat rrugore.
Një student që mori pjesë në protestë dëshmoi se sulmi erdhi nga persona të armatosur me mjete piroteknike, të cilët kishin me vete një frigorifer plot me akull dhe shishe të ngrira për t’i përdorur kundër protestuesve. “Ne protestonim në mënyrë paqësore, por disa kolegë u plagosën nga fishekzjarrët. Ishte një sulm i organizuar dhe i përgatitur,” tha studenti.
Ky incident pritet të thellojë edhe më tej ndarjet politike në vend, duke ngritur shqetësime për përdorimin e grupeve të organizuara për të shtypur protestat paqësore.
