Kryetari i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci, ka shpërthyer me një deklaratë të fortë në emisionin “Debat Plus”, duke lënë të kuptohet se mund të sfidojë lidershipin aktual të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK).
I pyetur nga analisti Bekim Kabashi nëse është i gatshëm të hyjë në garë kundër udhëheqjes aktuale të partisë, Lladrovci nuk la asnjë hapësirë dyshimi:
“O nesër me vendos Presidentja, nesër më ki në zgjedhje,” tha ai, me ton të vendosur.
Duke vazhduar me kritika të ashpra ndaj drejtuesve të PDK-së, ai paralajmëroi se nëse nuk ka reflektim dhe përgjegjësi brenda strukturave, do të dalë hapur kundër tyre:
“Po, kam me thy në kurriz. Në qoftë se lidershipi i PDK-së nuk reflekton, jo Partia Demokratike, por lidershipi, kam me thy në kurriz.”
Kryetari i Drenasit nënvizoi se situata aktuale në parti kërkon “ndryshim të brendshëm dhe guxim politik” për ta rikthyer besimin e qytetarëve. Ai nuk e përjashtoi as mundësinë që të dalë me një iniciativë të re politike nëse, sipas tij, PDK nuk arrin të rikthejë rolin e vërtetë opozitar ndaj Qeverisë Kurti.
“Unë jam duke punuar. Po i mbledh njerëzit më të ndershëm, më të mirë të këtij vendi. Kemi shumë që duan t’i shërbejnë Kosovës ndryshe, pa interesa të ngushta partiake,” shtoi ai.
Lladrovci akuzoi PDK-në për “mungesë vizioni dhe reagimi të dobët” në rolin e saj opozitar gjatë pesë viteve të fundit. Sipas tij, partia ka humbur kontaktin me bazën dhe nuk ka ofruar alternativë të qartë politike.
“Ka pasë raste kur PDK ka heshtur, kur ka duhej të fliste. Nuk mund të pretendosh besimin e qytetarëve nëse nuk je aktiv në mbrojtje të interesave të tyre,” theksoi ai.
Kjo deklaratë e Lladrovcit vjen në një kohë kur në skenën politike po flitet për zgjedhje të mundshme të parakohshme, dhe për lëvizje të reja brenda spektrit opozitar. Fjalët e tij janë parë nga analistët si një sinjal i qartë se ai është i gatshëm të sfidojë lidershipin aktual të PDK-së, madje edhe ta ndajë partinë nëse nuk sheh ndryshim.
Në qarqet politike, kjo deklaratë ka ngjallur reagime të shumta. Disa e shohin Lladrovcin si një figurë që kërkon të rikthejë frymën origjinale të PDK-së, ndërsa të tjerë e konsiderojnë si paralajmërim për ndarje të reja politike që mund të dobësojnë opozitën në prag të zgjedhjeve.
Sidoqoftë, një gjë mbetet e qartë: Ramiz Lladrovci nuk e përjashton asnjë skenar dhe është i bindur se “koha e heshtjes ka kaluar”.
