Radiotelevizioni i Kosovës (RTK) po përballet me një situatë të rëndë financiare, e cila po reflektohet drejtpërdrejt në funksionimin dhe kredibilitetin e tij si medium publik. Përveç vonesave në paga për punëtorët, televizioni shtetëror ka humbur edhe një nga të drejtat më të rëndësishme për publikun kosovar — transmetimin e ndeshjeve të kombëtares së Kosovës në muajin nëntor.
Burime të gazetës “Nacionale” kanë siguruar një Email nga kompania Digitalb, ku konfirmohet se RTK-ja ka humbur të drejtën e transmetimit për shkak të mosshlyerjes së obligimeve financiare në vlerë prej 180 mijë eurosh.
“Në vijim të komunikimeve tona me shkresë zyrtare dhe me email, si dhe njoftimit tuaj për pamundësinë financiare të RTK-së për të paguar detyrimet për ndeshjet e kaluara, por edhe ato të muajit nëntor të Kosovës, që në total shkojnë 180 mijë euro, ju bëjmë me dije se moshlyrja e detyrimeve nga ana e juaj përbën shkelje të akt-marrëveshjes së nënshkruar mes Digitalb dhe RTK-së,” thuhet në Emailin e siguruar nga “Nacionale”.
Në të njëjtin komunikim, Digitalb njofton ndërprerjen e menjëhershme të bashkëpunimit, duke theksuar se në përputhje me nenin 2.6 të marrëveshjes, kompania ka të drejtë të tërhiqet pa penalitete për shkak të mospërmbushjes së detyrimeve nga ana e RTK-së.
“Me anë të këtij Emaili ju bëjmë me dije se Digitalb nuk do të ofrojë sinjalin ndërkombëtar të transmetimit për RTK për dy ndeshjet e ardhshme të Kosovës në kuadër të kualifikuesve evropianë për Kupën e Botës,” përfundon njoftimi.
Kjo situatë ndodh në një moment kritik për futbollin kosovar, pasi ndeshjet e nëntorit janë vendimtare për rrugën drejt Botërorit. Për publikun, humbja e transmetimit në televizionin publik përbën një goditje të madhe, ndërsa për RTK-në, një dështim që prek drejtpërdrejt imazhin dhe misionin e saj si medium kombëtar.
Ndërkohë, RTK-ja mbetet në kolaps financiar, pasi buxheti i saj nuk është miratuar ende në Kuvend. Punëtorët nuk kanë marrë pagat për muajin nëntor dhe kanë paralajmëruar protestë nesër, në kërkim të zgjidhjes së krizës.
Qeveria, nga ana tjetër, nuk ka ofruar hua emergjente siç kishte bërë dy muaj më parë, duke lënë të hapur mundësinë e përkeqësimit të mëtejshëm të situatës.

Kriza në RTK nuk është vetëm çështje financiare – është simptomë e një sëmundjeje më të thellë institucionale. Si medium publik, RTK-ja ka një rol të pazëvendësueshëm në informimin e qytetarëve dhe mbrojtjen e interesit publik. Por kur ajo varet plotësisht nga vendimmarrja politike për mbijetesë, pavarësia editoriale bie nën hijen e varësisë buxhetore.
Humbja e të drejtave të transmetimit të ndeshjeve të kombëtares nuk është vetëm humbje simbolike; është sinjal se RTK-ja po shndërrohet nga transmetues publik në institucion të paralizuar. Kjo situatë kërkon jo vetëm ndihmë të përkohshme, por reformë të thellë strukturore, ku financimi, menaxhimi dhe transparenca të mos varen nga interesat politike, por nga standardet profesionale.
Në të kundërt, çdo krizë e ardhshme buxhetore do të jetë vetëm përsëritje e një historie të njohur: një televizion publik që mbijeton me hua dhe shpresë.
