Vërmicë, 10 Qershor 2025 — Një shtetas i Republikës së Shqipërisë është ndaluar ditë më parë nga autoritetet kosovare në pikën kufitare të Vërmicës, pasi gjatë një kontrolli në automjetin e tij janë zbuluar shtatë bidonë të mbushur me një substancë të panjohur.
Sipas njoftimit zyrtar të Policisë së Kosovës, më 9 qershor 2025, analizat përkatëse kanë konfirmuar se lënda e sekuestruar ka përbërje që mund të përdoret për prodhimin e mjeteve shpërthyese.

“Ditë më parë është ndaluar i dyshuari, shtetas i Republikës së Shqipërisë, pasi gjatë kontrollit të automjetit të tij janë gjetur dhe sekuestruar shtatë bidonë me lëndë të panjohur. Më datën 09.06.2025 është konstatuar se materiali i sekuestruar është i tillë që mund të përdoret edhe për eksploziv. Me vendim të prokurorit, rasti është duke u trajtuar në procedurë të rregullt hetimore”, thuhet në raportin e policisë.
Aktualisht, autoritetet janë duke vazhduar hetimet për të përcaktuar qëllimin dhe destinacionin e mundshëm të lëndës, si dhe për të zbuluar nëse rasti lidhet me ndonjë rrjet të organizuar.
