Prishtinë, 14 Qershor 2025
Ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka bërë të ditur se i është hequr shtetësia e Republikës së Kosovës shtetasit Nikola Vujović, për shkak të përfshirjes së tij në forcat policore të Serbisë dhe rrezikimit të sigurisë kombëtare.
Sipas Sveçlës, Serbia po punëson në mënyrë sistematike qytetarë të Kosovës në strukturat e saj të sigurisë dhe inteligjencës, gjë që, sipas tij, përbën një përpjekje për destabilizimin e brendshëm të vendit.

“Bazuar në legjislacionin për shtetësi, aktet nënligjore dhe rekomandimet e institucioneve përkatëse, sot kam marrë vendim për privimin nga shtetësia e Republikës së Kosovës të Nikola Vujović, për rrezikim të sigurisë sonë kombëtare si pjesëtar i forcave policore të Serbisë,” ka shkruar Sveçla në Facebook.
Ai theksoi se cenimi i sigurisë kombëtare nuk do të tolerohet në asnjë formë, dhe Kosova do të mbrojë integritetin e saj institucional me vendosmëri.
