Serbia ka blerë mijëra dronë iranianë – A janë synim Kosova dhe Bosnja? Ramadani ngre alarmin për destabilizim në Ballkan.
Burim Ramadani: Irani i ka shitur Serbisë mbi 24 mijë dronë – rrezik real për sigurinë në rajon
Analisti i njohur Burim Ramadani ka hedhur akuza serioze gjatë një interviste në emisionin “Pressing” në televizionin T7, duke zbuluar një dimension të ri të lidhjes mes Serbisë dhe Iranit në aspektin ushtarak dhe teknologjik.
Sipas Ramadanit, Irani ka shitur me shumicë dronë Serbisë – një sasi që ai pretendon të jetë mbi 24 mijë njësi. Ai deklaroi se një pjesë e këtyre dronëve mund të kenë pasur si destinacion final përdorimin në konflikte të mundshme në rajon, përfshirë Kosovën dhe Bosnje e Hercegovinën.
“Irani është i vetmi shtet që ka shpallur një plan kombëtar për zhdukjen e Izraelit. Kjo tregon qartë se bëhet fjalë për një regjim armiqësor që vepron në mënyrë agresive, jo vetëm ndaj Izraelit, por edhe ndaj aleatëve të tij, përfshirë Kosovën”, theksoi Ramadani.
Ai shtoi se qytetarët në Kosovë duhet t’i jenë mirënjohës Izraelit për sulmet e fundit ajrore ndaj fabrikave iraniane të prodhimit të dronëve, nga të cilat, sipas tij, kanë përfituar drejtpërdrejt forcat serbe.
“Një prej fabrikave kryesore nga të cilat Serbia ka blerë dronë është shkatërruar sipas njoftimeve publike. Kjo është një goditje e madhe për kapacitetet ushtarake të Serbisë që mund të kishin pasoja të rënda për stabilitetin në Ballkan”, u shpreh ai.

Ramadani paralajmëroi se një numër kaq i madh dronësh mund të përdoret jo vetëm për qëllime mbrojtëse, por edhe për operacione sulmuese kundër vendeve fqinje, në varësi të zhvillimeve politike dhe ushtarake.
Deklaratat e tij ngrejnë shqetësime serioze mbi rritjen e ndikimit iranian në Ballkan dhe mbi gatishmërinë e Serbisë për të përdorur teknologji të avancuar ushtarake në mënyrë potencialisht destabilizuese.
