Thursday, April 23, 2026
HomeLajmeNënshkruhet memorandum bashkëpunimi për projekte infrastrukturore në Mitrovicë dhe Mitrovicë të Veriut

Nënshkruhet memorandum bashkëpunimi për projekte infrastrukturore në Mitrovicë dhe Mitrovicë të Veriut

Mitrovicë, 18 qershor 2025 – Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës (MMPHI) ka nënshkruar një memorandum bashkëpunimi me komunat e Mitrovicës dhe Mitrovicës së Veriut, për realizimin e projekteve të përbashkëta infrastrukturore që synojnë lidhjen më të mirë të qytetit dhe përmirësimin e jetës së qytetarëve në të dy anët e lumit Ibër.

Në ceremoninë zyrtare të nënshkrimit morën pjesë ministri i MMPHI-së, Kryetari i Mitrovicës së Veriut, Erden Atiq, Nënkryetari i Komunës së Mitrovicës, Arian Tahiri, si dhe Kryesuesi i Bordit të Mitrovicës, Elbert Krasniqi. Palët nënshkruan një marrëveshje që përfshin mbështetjen institucionale dhe financiare për projekte që do të ndikojnë drejtpërdrejt në jetën e qytetarëve.

Projekti i parë i këtij bashkëpunimi është ndërtimi i dy urave të reja mbi lumin Ibër, i cili për dekada ka ndarë qytetin jo vetëm gjeografikisht, por edhe simbolikisht. Këto ura do të shërbejnë si ura reale dhe simbolike për një qytet më të lidhur, më të integruar dhe më funksional, duke mundësuar lëvizje më të lirë për qytetarët dhe duke krijuar hapësira të reja për zhvillim dhe bashkëpunim ndërkomunal.

Sipas ministrit të MMPHI-së, këto projekte janë në funksion të ndërtimit të një qyteti më të jetueshëm, ku qytetarët në të dy komunat të ndihen të barabartë dhe të përfshirë në proceset zhvillimore.

Ky memorandum bashkëpunimi është një hap konkret drejt normalizimit të marrëdhënieve ndëretnike dhe forcimit të bashkëpunimit institucional ndërmjet Mitrovicës dhe Mitrovicës së Veriut. Urat mbi lumin Ibër janë më shumë se projekte infrastrukturore – ato përfaqësojnë shpresën për integrim social, komunikim të lirë dhe zhvillim ekonomik të përbashkët.

Nënshkrimi i përbashkët i këtij memorandumi tregon vullnetin politik dhe institucional për të kapërcyer ndarjet historike, përmes investimeve që prekin drejtpërdrejt qytetarët dhe përmirësojnë cilësinë e jetës në një nga qytetet më të ndara të Evropës.

RELATED ARTICLES

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

Most Popular

Recent Comments