Saturday, April 18, 2026
HomePolitikKurti i quan “nomadë” deputetët e opozitës: Nuk duan Kuvend, nuk duan...

Kurti i quan “nomadë” deputetët e opozitës: Nuk duan Kuvend, nuk duan shtëpi

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka drejtuar akuza të ashpra ndaj deputetëve të opozitës, të cilët po bllokojnë konstituimin e Kuvendit të ri të Kosovës. Gjatë një fjalimi në Podujevë, ku ishte i pranishëm për vendosjen e gurit themeltar të një pishine gjysmolimpike, Kurti i quajti ata “deputetë nomadikë” duke thënë se nuk dëshirojnë të kenë shtëpi politike – Kuvendin.

“Deputetët opozitarë, të cilët nuk po duan që Kosova të ketë Kuvend, pra që ata të kenë shtëpi, janë deputetë nomadikë. Sepse nomadët janë ata të cilët nuk dëshirojnë të kenë shtëpi. Prandaj këta janë deputetë nomadikë, të cilët nuk dëshirojnë të kenë shtëpinë e tyre, që është Parlamenti i Republikës”, deklaroi Kurti me tone kritike.

Ai theksoi se përkundër faktit që Qeveria është në detyrë dhe ka kompetenca të kufizuara, ajo vazhdon të punojë pa ndalur.

“Qeveria e Republikës së Kosovës njëmend i ka kompetencat e kufizuara, por nuk kemi më pak punë. Ne kemi më pak kompetenca – jo më pak angazhim. Dhe ndërmjet Kurtit 2 dhe Kurtit 3, e kemi këtë qeveri në tranzicion – le ta quajmë Kurti 2.5”, u shpreh ai.

Sipas Kurtit, deputetët e mazhorancës e duan më shumë Kuvendin, ndonëse kanë edhe qeverinë, ndërsa opozita që nuk ka qeveri, nuk po e do as Kuvendin, të vetmen hapësirë ku mund ta shprehin opozitarizmin.

“Shtëpia e deputetëve, sidomos e opozitarëve, është Parlamenti. Nëse nuk e duan atë, atëherë çfarë përfaqësojnë?”, pyeti Kurti retorikisht.

Fjalimi i Kurtit vjen pak orë para dështimit të radhës të seancës konstitutive të Kuvendit të Kosovës, një ngërç institucional që po e mban pezull jetën parlamentare të vendit dhe po zgjat periudhën e tranzicionit politik.

Deklaratat e Kurtit janë pjesë e një strategjie për të ushtruar presion mbi opozitën dhe për ta paraqitur atë si penguese të funksionimit demokratik. Termi “nomadë” nuk është vetëm metaforik, por synon të stigmatizojë mungesën e përgjegjësisë parlamentare. Në një kohë kur vendi ka nevojë për stabilitet institucional, mungesa e bashkëpunimit për konstituimin e Kuvendit rrezikon të thellojë krizën politike dhe të minojë funksionimin demokratik. Retorika e Kurtit përforcon pozicionin e tij si lider aktiv edhe në detyrë, ndërsa opozita shihet si faktori frenues.

RELATED ARTICLES

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

Most Popular

Recent Comments