Pas datës 1 korrik, qytetarët e Kosovës mund të përballen me një rritje të ndjeshme të çmimeve, përfshirë edhe për produktet më të zakonshme të përditshmërisë – si kafja. Burime nga sektori i gastronomisë kanë paralajmëruar se një filxhan kafeje mund të shkojë deri në 3 euro, duke shkaktuar shqetësim të madh tek konsumatorët dhe bizneset e vogla.
Kjo rritje e pritshme vjen si pasojë e zbatimit të disa rregulloreve të reja fiskale dhe ndryshimeve në politikat tatimore, që do të hyjnë në fuqi nga 1 korriku 2025. Bizneset do të jenë të detyruara të përballen me kosto shtesë për shkak të tatimeve të reja, çmimeve të importit dhe rritjes së përgjithshme të shpenzimeve operative.
Përfaqësues të gastronomisë kanë theksuar se kjo nuk është një dëshirë e tyre, por një nevojë për të mbijetuar në treg. “Nëse nuk përshtatemi me çmimet e reja, rrezikojmë të mbyllim bizneset tona”, tha një pronar kafeneje në Prishtinë për NovaFlash.
Ndërkohë, qytetarët shprehen të zhgënjyer dhe të shqetësuar. “Një kafe me 3 euro është luks. Çmimet po rriten, por pagat nuk lëvizin fare”, tha një qytetar në një prononcim për portalin tonë.
Rritja e çmimeve mund të prekë edhe produkte dhe shërbime të tjera, ndaj ekspertët këshillojnë qytetarët të përgatiten për një sezon veror më të shtrenjtë.
NovaFlash do të vazhdojë të përcjellë çdo zhvillim lidhur me këtë temë
