Dhuna në familje po vazhdon të jetë një ndër problemet më të mëdha sociale në vendin tonë, me raste të përditshme ku viktimat janë kryesisht gra dhe vajza. Një rast i tillë shqetësues është raportuar mbrëmjen e 22 qershorit 2025, në qytetin e Lipjanit, ku një grua e re shtatzënë ka kërkuar ndihmën e Policisë pas presionit dhe dhunës psikike që pretendon se po e përjeton nga bashkëshorti i saj.
Sipas Gazetës Sinjali, rreth orës 20:30, në stacionin policor është paraqitur një 19-vjeçare me inicialet S.G., e cila ka deklaruar se bashkëshorti i saj, V.H., 21 vjeç, ka ushtruar vazhdimisht dhunë psikike ndaj saj.
Ngjarja ka ndodhur në rrugën “Nëna Terezë” në Lipjan. Sipas viktimës, gjendja emocionale është rënduar aq shumë, sa që ajo nuk dëshiron më të vazhdojë shtatzëninë.
Me urdhër të prokurorit kujdestar, rasti është cilësuar si “Dhunë në familje” dhe është iniciuar për hetime të mëtejshme. Denoncuesja është intervistuar në prani të zyrtarëve policorë, ndërsa procedurat hetimore do të zhvillohen në gjendje të rregullt.
Për shkak të ndjeshmërisë së rastit dhe gjendjes shëndetësore të viktimës, Policia dhe Prokuroria janë duke e trajtuar me prioritet maksimal.
Ky rast shton edhe më tej alarmin për nevojën e reagimit institucional dhe shoqëror kundër dhunës në familje, sidomos kur në mes është një jetë e re që pritet të vijë në këtë botë
