Saturday, April 18, 2026
HomePolitikMimoza Kusari-Lila ndan rrugët me VV-në por çfarë planifikon më tej?

Mimoza Kusari-Lila ndan rrugët me VV-në por çfarë planifikon më tej?

Mimoza Kusari-Lila, kryetarja e partisë “Alternativa” dhe një nga bashkëpunëtoret më të afërta të Lëvizjes Vetëvendosje në nivel qendror, ka konfirmuar se partia e saj do të garojë e vetme në zgjedhjet lokale të 12 tetorit, duke ndarë rrugët me VV-në në këtë proces elektoral.

Në një intervistë për Klan Kosova, Kusari-Lila theksoi se ky vendim nuk është i papritur për strukturat partiake, pasi diskutimi për ndarje në zgjedhjet lokale ka ndodhur që pas zgjedhjeve të vitit 2021. “LVV e ka vendos këtë për zgjedhjet lokale. Nuk e kemi lajm që e kemi marrë para zgjedhjeve, ky diskutim është pas zgjedhjeve lokale të vitit 2021. Domethënë kjo është një temë që nuk është risi për ne, edhe pse mundet me qenë për opinionin publik”, tha ajo.

Megjithatë, Kusari-Lila la të hapur mundësinë e një bashkëpunimi të ardhshëm me VV-në në zgjedhje të tjera, përfshirë ato të jashtëzakonshme, duke thënë se “mbetet për t’u parë”.

Alternativa do të garojë me kandidatë të vet në disa komuna kyçe, si në Prishtinë, Gjakovë dhe Pejë. “Për mu si kryetare e Alternatives po qe është një sfidë, por e paraqet një mundësi të re për me dal prej fazës ku ti rri në listë në parti të madhe, me pa forcën politike, kapacitetin politik dhe strukturave tuaja, dhe natyrisht edhe mundësinë me shpërnda frymën liberale dhe mendimin, dhe qëndrimet tona në raport me zhvillimin dhe vizionin tonë që nuk është domosdoshmërisht i lidhur me VV”, deklaroi ajo.

Kjo lëvizje shënon një kthesë të rëndësishme për “Alternativën”, që deri më tani ka funksionuar si pjesë e koalicionit qeverisës me VV-në, me Kusari-Lilën që mban edhe pozicionin e shefes së Grupit Parlamentar të VV-së në Kuvendin e Kosovës.

Vendimi i Kusari-Lilës dhe partisë së saj për të garuar më vete në zgjedhjet lokale paraqet një test politik për “Alternativën”, por edhe një sinjal të qartë për diferencim ideologjik dhe organizativ nga Lëvizja Vetëvendosje. Duke lënë hapur mundësinë e një bashkëpunimi në zgjedhjet e ardhshme parlamentare, Kusari-Lila po synon të balancojë mes ruajtjes së pozitës së saj në pushtet dhe ndërtimit të një identiteti të pavarur partiak.

Zgjedhjet lokale do të shërbejnë si matës i forcës reale të “Alternativës” në terren, ndërsa suksesi apo dështimi në këto zgjedhje mund të përcaktojë fatin e saj politik dhe marrëdhënien e ardhshme me Vetëvendosjen.

RELATED ARTICLES

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

Most Popular

Recent Comments