Thursday, June 25, 2026
HomeNderkombetareNjë shtet i BE-së bën thirrje: Pranimi i Kosovës do të forconte...

Një shtet i BE-së bën thirrje: Pranimi i Kosovës do të forconte stabilitetin në rajon

Ministri i Punëve të Jashtme të Kroacisë, Gordan Grliq Radman, ka dhënë një deklaratë të fortë në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës (KiE), duke mbështetur qartë anëtarësimin e Kosovës. Ai theksoi se pranimi i Kosovës në KiE nuk është vetëm një hap simbolik, por një mundësi strategjike për të forcuar stabilitetin në Ballkanin Perëndimor dhe për të avancuar vlerat demokratike në rajon.

“Pranimi i Kosovës do të forconte stabilitetin rajonal, do të përkrahte integrimin evropian të Kosovës dhe do t’ua mundësonte të gjitha komuniteteve, përfshirë komunitetin serb, që të kenë qasje të plotë në sistemin evropian të mbrojtjes së të drejtave të njeriut”, deklaroi Radman të enjten në Strasburg.

Ai theksoi gjithashtu se Kosova përfaqëson një shans strategjik për përmbushjen e misionit të KiE-së për promovimin e demokracisë, të drejtave të njeriut dhe sundimin e ligjit në të gjithë kontinentin.

Ministrja në detyrë e Punëve të Jashtme e Kosovës, Donika Gërvalla, ka shpërndarë fjalimin e Radmanit në rrjetet sociale dhe e ka falënderuar atë për mbështetjen. “Evropa është më e fuqishme kur bashkohet në vlera”, ka shkruar Gërvalla.

Kosova aplikoi për anëtarësim në Këshillin e Evropës në maj të vitit 2022, por në maj të vitit 2024 nuk u përfshi në agjendë për shkak të mosprocedimit të draftstatutit për Asociacionin e komunave me shumicë serbe. Vendimi përfundimtar për anëtarësimin i takon Komitetit të Ministrave të KiE-së.

Deklarata e Kroacisë vjen në një moment kritik për aspiratat euroatlantike të Kosovës. Përkrahja nga një shtet anëtar i BE-së dhe KiE-së jo vetëm që i jep peshë aplikimit të Kosovës, por gjithashtu dërgon një sinjal se anëtarësimi i saj konsiderohet një çështje strategjike për paqen në rajon. Megjithatë, mbetet për t’u parë nëse vendet e tjera do ta ndjekin këtë shembull, veçanërisht përballë çështjes ende të pazgjidhur të Asociacionit.

RELATED ARTICLES

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

Most Popular

Recent Comments