Fushë Kosova, një nga qytetet me rritjen më të shpejtë urbane në vend, po përballet me një mori problemesh strukturore dhe sociale që janë bërë barrë e përditshme për qytetarët. Çdo kandidat që synon postin e Kryetarit të Komunës duhet ta kuptojë mirë: kjo nuk është një garë për pushtet, por një sfidë për shpëtim urban dhe social.
Problemi i ujërave të zeza – një krizë e përhershme
Pothuajse çdo reshje shiu kthehet në alarm për qytetarët. Rrugët mbushen me ujë, shpesh edhe me ujëra të zeza, duke shkaktuar dëme materiale dhe kërcënime shëndetësore. Kjo situatë është tregues i një infrastrukture që nuk është përballuar kurrë seriozisht me nevojat reale të qytetit.
Urbanizim i egër, banesa pa kushte
Ndërtime pa planifikim, mungesë parkingjesh, mungesë hapësirash të gjelbra dhe rrugë të ngushta kanë bërë që cilësia e jetës të bjerë në mënyrë drastike. Investimet janë bërë pa vizion, duke ndërtuar më shumë mure sesa zgjidhje.
Çerdhet publike – mungesa që vret mundësinë për barazi
Në një qytet ku shumica janë familje të reja, mungesa e çerdheve publike është një dramë më vete. Prindërit detyrohen të gjejnë zgjidhje private të kushtueshme ose të heqin dorë nga puna për të kujdesur për fëmijët. Kjo përkeqëson gjendjen ekonomike dhe rrit pabarazinë sociale.
Siguria – ndriçimi publik dhe infrastruktura për këmbësorë
Rrugët e errëta dhe mungesa e ndriçimit publik janë bërë sinonim i pasigurisë. Mungesa e trotuareve dhe hapësirave publike e bën jetën në Fushë Kosovë të rrezikshme për fëmijët dhe të moshuarit.
Kaos në parkingje dhe lagje të harruara
Në çdo mëngjes, qytetarët përballen me stresin e mungesës së vendparkimeve. Ndërkohë, lagjet e komuniteteve të margjinalizuara mbeten jashtë çdo plani zhvillimor, duke krijuar një ndarje të padrejtë mes pjesëve të ndryshme të qytetit.

Kushdo që merr mandatin për të drejtuar Fushë Kosovën në katër vitet e ardhshme, do të përballet me një trashëgimi problematike që kërkon guxim politik, integritet moral dhe një ekip të përgatitur.
Sfida kryesore nuk është ndërtimi i godinave të reja apo vendosja e ndonjë stoli në park, por ndërtimi i një sistemi funksional: rrjete kanalizimi moderne, plan urban afatgjatë, shërbime sociale reale dhe transparencë totale në vendimmarrje.
Ky qytet kërkon një kryetar që nuk e sheh mandatin si mundësi për të fituar tenderë, por si mision për ta kthyer Fushë Kosovën në një vend ku qytetari ndjehet i respektuar dhe i përfshirë.
Në mungesë të ndryshimeve të thella, qyteti do të vazhdojë të shkojë drejt një krize të thellë urbane, sociale dhe mjedisore.
