Tuesday, June 23, 2026
HomeLajmeGjykata izraelite sfidon Netanyahun – refuzon kërkesën për shtyrje mes përkrahjes nga...

Gjykata izraelite sfidon Netanyahun – refuzon kërkesën për shtyrje mes përkrahjes nga Trumpi

Gjykata e Qarkut në Jerusalem ka refuzuar një kërkesë të kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu për të shtyrë dëshminë e tij në gjyqin për korrupsion, duke hedhur poshtë pretendimin se angazhimet e tij në fushën e sigurisë kombëtare pas konfliktit me Iranin e bëjnë të pamundur paraqitjen në gjykatë.

Kjo ndodhi vetëm një ditë pasi presidenti amerikan Donald Trump e quajti gjyqin kundër Netanyahut një “gjueti shtrigash”, duke i bërë thirrje autoriteteve izraelite që ose ta anulojnë procesin ose ta falin atë që ai e quajti “një hero i madh”.

“Forma aktuale e kërkesës nuk përmban justifikim të mjaftueshëm për të pezulluar seancat dëgjimore,” thuhet në vendimin e gjykatës, të publikuar online të enjten.

Netanyahu, i cili është në pushtet që nga fundi i vitit 2022, po përballet me tri çështje penale. Në një prej tyre, ai dhe bashkëshortja e tij Sara dyshohet se kanë pranuar dhurata luksoze në vlerë mbi 260 mijë euro nga miliarderë të huaj, përfshirë cigare, shampanjë dhe bizhuteri, në këmbim të favoreve politike. Në dy rastet e tjera, akuzat kanë të bëjnë me përpjekjet për të siguruar mbulim më të favorshëm në media vendore.

Përballja e tij me drejtësinë po zhvillohet në një kohë të ndjeshme për Izraelin, pas përfundimit të konfliktit 12-ditor me Iranin që u mbyll me një armëpushim më 24 qershor. Në këtë kontekst, avokatët e Netanyahut argumentuan se kryeministri ka nevojë për kohë për t’u përqendruar në çështje të sigurisë.

Megjithatë, gjykata nuk pranoi as këtë herë. Netanyahu ka kërkuar disa shtyrje që nga nisja e procesit më 2020, përfshirë gjatë luftës në Gazë në vitin 2023 dhe konfliktit me Libanin.

Mbështetësit e tij vazhdojnë të pretendojnë se akuzat janë të motivuara politikisht dhe se drejtësia po përdoret si armë kundër një lideri të djathtë që ka mbetur i fuqishëm në skenën izraelite.

Refuzimi i gjykatës për t’i dhënë Netanyahut një tjetër shtyrje dëshmon pavarësinë relative të sistemit gjyqësor izraelit, i cili, pavarësisht presionit politik dhe ndërkombëtar, po përpiqet të ruajë autoritetin e vet. Ndërhyrja e presidentit amerikan Trump, edhe pse nuk ka ndikim juridik, synon të forcojë pozicionin politik të Netanyahut në një moment kur ai është i përfshirë në çështje të mëdha të sigurisë rajonale dhe në përpjekje për të ruajtur imazhin e një udhëheqësi të pathyeshëm. Por fakti që gjykata nuk u tërhoq, mund të sinjalizojë se, nëse nuk ka prova bindëse, asnjë “hero” nuk është mbi ligjin në Izrael.

RELATED ARTICLES

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

Most Popular

Recent Comments