Ngjarja e rëndë që ndodhi së fundmi në një nga rrugët e qytetit ka shkaktuar zemërim dhe zhgënjim të madh tek familjarët e Zana Gjevukaj, e cila u godit nga një veturë në momentin kur po kalonte në vijat e bardha.
Sipas deklaratave të afërmve të saj, vozitësi i automjetit rezulton të jetë një zyrtar policor, i cili, sipas dëshmive të para, po udhëtonte me shpejtësi të tejkaluar, në kundërshtim me rregullat e qarkullimit dhe pa dhënë përparësi këmbësorëve.
“Zana ishte duke kaluar në vijat e bardha, si çdo qytetar që respekton rregullat. U godit nga një makinë që po vinte me shpejtësi të frikshme. Kur e morëm vesh që ishte polic, mbetëm të shokuar”, ka thënë njëri nga familjarët, i cili ka kërkuar drejtësi dhe transparencë për rastin.
Familjarët kanë reaguar publikisht përmes rrjeteve sociale dhe mjeteve të informimit, duke shprehur zhgënjimin e tyre të thellë për mënyrën se si po trajtohet rasti nga autoritetet. Ata kërkojnë që ngjarja të mos fshihet nën petkun e uniformës, por të hetohet njësoj si çdo rast tjetër ku përfshihet një qytetar i zakonshëm.
Ndërkohë, gjendja shëndetësore e Zana Gjevukaj raportohet të jetë stabile, ndonëse ajo vazhdon trajtimin mjekësor dhe po përballet me dhimbje fizike e emocionale pas incidentit.
Autoritetet ende nuk kanë dalë me një deklaratë zyrtare për rastin
