Prishtinë, 27 qershor 2025 –
Një situatë e pazakontë ka ndodhur pasditen e së premtes në lagjen Bregu i Diellit në Prishtinë, ku qytetarët kanë raportuar për të shtëna armësh që kanë shkaktuar shqetësim dhe pasiguri.
Ngjarja është regjistruar rreth orës 17:00, ndërsa Policia e Kosovës është alarmuar menjëherë dhe ka intervenuar duke dalë në vendin e ngjarjes. Forcat policore kanë rrethuar zonën dhe kanë filluar hetimet, por deri në këtë moment nuk ka informacione për persona të lënduar apo të arrestuar.
Sipas burimeve jozyrtare, të shtënat janë dëgjuar në një prej rrugicave të brendshme të lagjes, ku ka një përqendrim të madh banesash dhe qarkullim të lartë të qytetarëve, veçanërisht gjatë orëve të pasdites.
Portali Paparaci ka tentuar të marrë detaje nga Policia e Kosovës lidhur me arsyet apo motivet e mundshme të këtij incidenti, por deri në momentin e publikimit të këtij lajmi, nuk ka pasur një përgjigje zyrtare.
Banorët e lagjes kanë shprehur shqetësimin e tyre për këtë situatë, duke kërkuar më shumë praninë e policisë në zonë dhe hetim të plotë të rastit.

Autoritetet kanë bërë të ditur se do të publikojnë më shumë informacione sapo të përfundojnë procedurat hetimore në terren.
