Prishtinë, 4 korrik 2025 – Pas reagimeve publike dhe deklaratave politike lidhur me pezullimin e tenderit për rehabilitimin dhe modernizimin e Njësisë A3 në Termocentralin Kosova A, Korporata Energjetike e Kosovës (KEK Sh.A.) ka dalë me një sqarim zyrtar, duke kundërshtuar pretendimet për anulim të projektit.
KEK njofton se projekti nuk është anuluar, por pezulluar përkohësisht si pasojë e një ankese të dorëzuar nga një Operator Ekonomik në OSHP, çka përbën procedurë të zakonshme ligjore sipas Ligjit për Prokurimin Publik (LPP).
Sipas KEK-ut, Zyrtari i Prokurimit ka dorëzuar më 2 korrik 2025 kërkesën për heqjen e pezullimit, duke theksuar se ankesa është e pabazuar, ndërsa eksperti shqyrtues i çështjes ka rekomanduar refuzimin e saj si të palejuar.
KEK shpreh bindjen se projekti është hartuar në përputhje të plotë me ligjin dhe standardet ndërkombëtare, në bashkëpunim me ekspertë profesionistë dhe konsulencën e USAID, dhe rithekson përkushtimin për të çuar projektin përpara pa u ndikuar nga dezinformatat apo presionet politike.
“Ky nuk është as rasti i parë, as i fundit kur një aktivitet pezullohet përkohësisht për arsye procedurale. Kërkojmë nga të gjitha palët që të mos përhapin dezinformata dhe të respektojnë procesin ligjor”, thuhet në fund të deklaratës zyrtare.
Ky sqarim është bërë nga Departamenti për Marrëdhënie me Publikun dhe Komunitete i Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK Sh.A.), më 04.07.2025, dhe është shpërndarë përmes kanaleve zyrtare të KEK-ut.

Në një klimë politike të nxehtë, ku çdo projekt energjetik bëhet temë akuzash, KEK zgjodhi të sqarojë publikisht faktet ligjore, duke mbrojtur integritetin e procedurës. Pezullimi i përkohshëm për shkak të ankesës është standard në çdo prokurim publik, dhe nuk përbën as dështim e as anulim. Por reagimi vjen pas deklaratave të ministrit Hekuran Murati, i cili e politizoi pezullimin, duke akuzuar opozitën për sabotim të sigurisë energjetike.
Ky rast tregon se përplasja për kontroll mbi energjinë po kalon nga teknike në politike, ndërsa qytetarët mbeten spektatorë të një beteje ku termocentralet janë fushëbeteja.
https://www.facebook.com/share/p/199fgoBWGV/?mibextid=wwXIfr
Burimi:
Korporata Energjetike e Kosovës
