Në zemër të Prishtinës, brenda Spitalit të Kosovës – aty ku trajtohen rastet më urgjente shëndetësore – mungon një element kyç i infrastrukturës moderne: ashensori funksional për emergjencë.
Burime nga stafi mjekësor dhe familjarë të pacientëve kanë ngritur shqetësimin se prej shumë vitesh lifti që ndërlidhet me repartin emergjent nuk funksionon, ndërsa pacientët në gjendje të rëndë detyrohen të ngjiten apo të zbresin me batanije, bartës ose thjesht në këmbë, deri në katin e katërt. E njëjta situatë vlen edhe për mjekët, të cilët humbin kohë të çmuar nëpër shkallë për të arritur në pavijonet më të larta.
Situata është bërë alarmante, veçanërisht në rastet e pacientëve me infarkt, tru të goditur apo raste traumatike, të cilët kërkojnë transport të menjëhershëm dhe pa lëvizje të tepruara.
Për ironi, ndërtesa është ndërtuar me hapësirë për ashensor, por ai nuk është mirëmbajtur dhe nuk është zëvendësuar përkundër ankesave të përsëritura. Nga ana tjetër, Ministria e Shëndetësisë deri më sot nuk ka shpallur asnjë tender për të riparuar apo instaluar një ashensor të ri për nevoja urgjente.
Një nga mjekët, që preferoi të mbetet anonim, tha për Novaflash.info:
“Është e papranueshme që në vitin 2025, në një spital të tillë qendror, pacientët të barten nëpër shkallë. Kjo është jo vetëm e rëndë për ta, por rrezikon jetën e tyre.”
Në mungesë të një lifti funksional, edhe dërgesa e pajisjeve mjekësore, të infuzioneve apo pajisjeve të tjera ndihmëse bëhet me vështirësi, shpesh duke i vonuar procedurat kritike.
Ministria e Shëndetësisë nuk ka dhënë asnjë përgjigje publike për këtë çështje, ndonëse raportimet e brendshme dhe rekomandimet nga menaxhmenti i spitalit kanë qenë të vazhdueshme. Deri më tani, nuk figuron asnjë tender aktiv i lidhur me sistemin e ashensorëve në këtë ndërtesë.
Për qytetarët e Prishtinës dhe pacientët nga gjithë Kosova që kërkojnë ndihmë në këtë spital, kjo situatë është kthyer në një rrezik serioz dhe një dështim i rëndë institucional.

Mungesa e një ashensori emergjent në një institucion të nivelit të tretë të kujdesit shëndetësor tregon për neglizhencë të vazhdueshme institucionale dhe mungesë transparence në planifikimin e buxhetit. Kjo jo vetëm që ul cilësinë e shërbimeve, por edhe rrit rrezikun për jetën e pacientëve. Ministria duhet urgjentisht të trajtojë këtë problem, përpara se të ndodhë një tragjedi e paralajmëruar prej vitesh.
