Një rast i rëndë i vjedhjes së pasurisë është raportuar mëngjesin e sotëm në rrugën “Lekë Dukagjini” në Pejë, ku një qytetar ka mbetur pa veturë dhe pajisje të tjera me vlerë të konsiderueshme.
Burime të Sinjalit bëjnë të ditur se viktima, A. Sh., 39 vjeç, ka lajmëruar Policinë e Kosovës rreth orës 09:00, pasi ka zbritur në bodrumin e banesës ku e kishte të parkuar veturën e tij dhe ka konstatuar se ajo ishte vjedhur.
Sipas informacioneve, bëhet fjalë për një veturë të tipit AUDI A4, ngjyrë e bardhë, me vlerë rreth 14,000 euro. Përveç veturës, nga brenda saj janë marrë edhe dy laptopë me vlerë totale 450 euro, tre mullinj kafesh me vlerë rreth 1,200 euro si dhe një bormashinë Bosch me vlerë 200 euro.
Dëmi i përgjithshëm i raportuar nga viktima arrin vlerën mbi 15,000 euro. Policia ka nisur hetimet dhe po punon për identifikimin e autorëve dhe zbardhjen e rastit.
Organi i rendit u bën apel qytetarëve që të jenë të kujdesshëm dhe të njoftojnë menjëherë Policinë në rast të ndonjë aktiviteti të dyshimtë
