Arrestohet në Ksamil një 31-vjeçar nga Gjilani, u kap me armë zjarri në makinë
Një shtetas 31-vjeçar nga Gjilani ka rënë në prangat e Policisë shqiptare në qytetin turistik të Sarandës. I riu u kap duke lëvizur me një armë zjarri të fshehur në automjetin e tij në zonën e Ksamilit, një nga destinacionet më të frekuentuara gjatë sezonit turistik.
Sipas njoftimit zyrtar të Policisë së Shtetit, operacioni policor i koduar “Impact” çoi në arrestimin e të dyshuarit Sh. M., 31 vjeç, banues në Gjilan, Kosovë.
“Si rezultat i operacionit policor të koduar ‘Impact’, u arrestua në flagrancë shtetasi kosovar Sh. M., 31 vjeç, banues në Gjilan. Gjatë kontrollit në automjetin tip ‘Range Rover’ që drejtonte ky shtetas, në Ksamil, shërbimet e Policisë gjetën të fshehur në çantën e tij të dorës një armë zjarri pistoletë tip ‘Beretta’, me një krehër me fishekë,” thuhet në deklaratën e Policisë së Shtetit.
Materialet në ngarkim të të arrestuarit i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Sarandë, për veprime të mëtejshme ligjore.
Ky operacion vjen në kuadër të masave të shtuara të sigurisë gjatë sezonit turistik, me qëllim garantimin e rendit publik në zonat bregdetare më të frekuentuara nga turistët vendas dhe të huaj.
📌 Burimi: Policia e Shtetit – Sarandë
