Një rast i rëndë dhe thellësisht shqetësues ka tronditur opinionin publik në Kosovë. Dy vajza të mitura, të dyja vetëm 14 vjeç, janë zhdukur pa gjurmë që nga data 4 korrik 2025, duke lënë pas një dhimbje të madhe për familjet e tyre dhe një varg pyetjesh të pa përgjigjura për organet kompetente.
Remzi Shala, babai i njërës prej vajzave të zhdukura, B.Sh., ka bërë thirrje publike dhe ka denoncuar rastin në redaksinë e klankosova.tv, duke kërkuar ndihmë nga të gjithë qytetarët që mund të kenë informacion. Sipas tij, vajza e tij B.Sh. dhe shoqja e saj L.H., po ashtu 14-vjeçare, janë parë për herë të fundit duke hipur në një veturë të kuqe të tipit Fiat, me targa 01-874-LZ. Pamjet nga kamerat e sigurisë që dokumentojnë këtë moment tashmë janë siguruar nga klankosova.tv dhe pritet të publikohen së shpejti për të sensibilizuar publikun dhe për të ndihmuar në gjetjen e tyre.
Sipas dëshmisë së Remzi Shalës, vajzat janë larguar nga shtëpia me valixhe dhe pa dijeninë e familjeve të tyre, duke ngritur dyshime serioze se mund të jenë manipuluar apo mashtruar për të marrë këtë hap të rrezikshëm. Shala thotë se vajza tjetër e tij ka arritur të bisedojë në telefon me B.Sh., e cila i ka treguar se ndodhen tek një shoqe e tyre në fshatin Bresje. Vajza që thuhet se po i mban të miturat, A.R., është mbi 20 vjeçe, dhe sipas Shalës, dyshohet se mund të ketë rol të dyshimtë në këtë ngjarje.
“Nuk kemi asnjë informacion të saktë për fatin e tyre. Vajza ime tjetër ka biseduar në telefon me (motrën) B.Sh, e cila i ka thënë se ndodhen tek një shoqe e tyre në fshatin Bresje. Ajo vajzë quhet A.R., (emër i njohur për redaksinë) dhe është mbi 20 vjeçe, ka treguar Shala me zë të dridhur për klankosova.tv.
Ende më shqetësuese janë pretendimet e rënda të babait, i cili ka frikë se vajzat mund të jenë duke u mbajtur kundër dëshirës së tyre, nën ndikimin e lëndëve narkotike dhe të përfshira në veprime të paligjshme që lidhen me trafikimin e të miturve.
🗣️ “Ne kemi informata se ajo vajzë e cila po i mban B.Sh. dhe L.H., është duke i keqtrajtuar ato me lëndë narkotike si dhe me shkelje të Ligjit për trafikim me të mitura”, deklaroi ai, duke apeluar tek autoritetet që të veprojnë me urgjencë.
Familjarët tashmë kanë alarmuar Policinë e Kosovës dhe po presin reagim dhe veprim konkret, por deri në momentin kur ky artikull po publikohet, Policia nuk ka dhënë një version zyrtar mbi rastin dhe nuk ka konfirmuar nëse janë ndërmarrë masa konkrete për gjetjen e vajzave dhe ndalimin e personave të dyshuar.
Ky rast ka shkaktuar zemërim dhe frikë tek prindërit në gjithë vendin. Ai na kujton edhe një herë se sa e brishtë është siguria e fëmijëve tanë dhe se sa e rëndësishme është të flasim hapur për rreziqet që i kanosen të miturve në kohët moderne — qoftë përmes manipulimit në rrjete sociale, qoftë nga individë me qëllime të këqija që përfitojnë nga naiviteti i moshës.
Familja e vajzave të zhdukura apelon tek çdo qytetar që mund të ketë parë dy vajzat, veturën e kuqe të tipit Fiat me targa 01-874-LZ, ose që mund të ketë informacion për vendndodhjen e tyre, që të kontaktojë menjëherë Policinë e Kosovës ose t’i njoftojë prindërit.
Njëkohësisht, rastet e tilla duhet të jenë një alarm për të gjitha familjet që të rrisin vigjilencën, të komunikojnë hapur me fëmijët e tyre dhe të jenë të informuar për shoqërinë dhe kontaktet e tyre.
Redaksia jonë qëndron pranë familjeve dhe do të publikojë çdo informacion të ri që do të ndihmojë në gjetjen e dy vajzave dhe kthimin e tyre të sigurtë në shtëpi. Lutemi që ato të kthehen shëndosh e mirë dhe që drejtësia të vihet në vend.
