Një ngjarje e rëndë ka ndodhur këtë të diel në plazhin e Qerretit, ku një pushues 59-vjeçar nga Kosova ka humbur jetën pasi dyshohet se është mbytur. Sipas të dhënave zyrtare nga Policia, viktima dyshohet se ka pësuar arrest kardiak sapo ka hyrë në det, duke mos arritur të dalë më i gjallë.
Megjithatë, dëshmitarët në vendngjarje tregojnë një version tjetër të asaj që ndodhi në ato momente dramatike. Pushuesit që ndodheshin aty tregojnë se 59-vjeçari ishte futur në det për t’u larë bashkë me dhëndrin e tij. Ky i fundit, sipas tyre, kishte dalë më herët në breg, ndërsa burri kishte mbetur pas duke luftuar për jetën.
Pushuesit që e vunë re në kohë rrezikun, u hodhën menjëherë në ujë për ta nxjerrë në breg. Ata i dhanë ndihmën e parë duke tentuar ta mbajnë në jetë deri në ardhjen e ambulancës. Por, sipas tyre, ambulanca vonoi më shumë se një orë, duke shtuar edhe më shumë tragjedinë e një situate që mund të ishte shmangur.
Një dëshmitare që ndodhej pranë vendit të ngjarjes e përshkroi momentin si “tmerr të vërtetë”. Ajo tregoi se, kur mjekët më në fund mbërritën, ishin të rinj dhe të pasigurt, duke mos ditur si të vepronin në një rast urgjence kaq të rëndë. “I bënin shtypje gjoksi, elektroshok, gjilpëra… por dukej e kotë. U zëvendësuan me radhë pushuesit për t’i bërë masazh kardiak, por zoteria nuk po jepte asnjë shenjë reagimi,” tregon dëshmitarja.
Sipas saj, viktima kishte probleme shëndetësore me zemrën dhe diabetin dhe mund të kishte qëndruar gjatë në ujë duke u përpjekur të dilte vetë, derisa trupi i tij nuk pati më fuqi. Mjekët tentuan për më shumë se gjysmë ore ta rikthenin në jetë, por përpjekjet rezultuan të kota. Ai u largua nga bregu i detit me barelë, por pa jetë.
Pushuesit kanë ngritur shqetësimin për mungesën e profesionalizmit dhe vonesat e pajustifikueshme të ambulancave në bregdet. Sipas tyre, ky nuk është rasti i vetëm, pasi shpesh ndërhyrjet mjekësore në situata të tilla vonohen duke rrezikuar jetë njerëzish që mund të shpëtohen nëse ndihma vjen në kohë.
“Është e dhimbshme të shikosh sesi njerëzit japin gjithçka nga vetja për të shpëtuar një jetë, ndërkohë që shërbimi shëndetësor vjen me vonesë dhe pa përgatitjen e duhur,” tha një tjetër pushues që u përfshi në ndihmën e parë.
Policia ka nisur hetimet për të zbardhur rrethanat e plota të kësaj ngjarjeje tragjike, ndërsa trupi i pajetë është dërguar për ekspertizë mjeko-ligjore për të përcaktuar shkakun e saktë të vdekjes.
Tragjedia e 59-vjeçarit nga Kosova shërben si një alarm për institucionet përgjegjëse që të marrin masa konkrete për të rritur sigurinë në plazhe, për të garantuar praninë e ekipeve mjekësore të trajnuara dhe për të shmangur përsëritjen e fatkeqësive të tilla që lënë pas dhimbje të paimagjinueshme për familjarët dhe të afërmit.
