Në një skenar gjithnjë e më të tensionuar sigurie në Evropë, qyteti gjerman i Hamburgut do të kthehet në një arenë të vërtetë ushtarake nga data 25 deri më 27 shtator. NATO do të zhvillojë stërvitjen e madhe “Red Storm Bravo”, e cila synon të testojë reagimin e menjëhershëm të Aleancës ndaj një sulmi të mundshëm rus në krahun lindor.
Me mbi 800 mijë persona të përfshirë – përfshirë ushtarë, personel civil, mjekë fushorë dhe teknikë – kjo do të jetë ndër operacionet më të mëdha simulative që ka parë Gjermania në dekadat e fundit. Rrugët e Hamburgut do të dominohen nga konvoje ushtarake, tanke, helikopterë, spitale fushore dhe qendra evakuimi, duke e shndërruar qytetin në një pikë kyçe të logjistikës ushtarake të NATO-s.
Kapiteni i Bundeswehr-it, Kurt Leonards, paralajmëron: “Kërcënimi është real. Ne tashmë po shohim sulme ndaj infrastrukturës sonë.” Ai i referohet rasteve të sabotimeve industriale, spiunazhit dhe kërcënimeve hibride që sipas tij po vijnë nga Moska.
Hamburgu, me portin e tij strategjik dhe qasjen në Detin Baltik, shihet si porta hyrëse për trupat e NATO-s që do të lëvizin drejt Polonisë dhe shteteve Baltike në rast konflikti të hapur me Rusinë.
Raportet e fundit të Bundeswehr-it paralajmërojnë se Rusia nën udhëheqjen e Vladimir Putinit po përgatitet për një përballje direkte me NATO-n. Një alarm i ngjashëm vjen edhe nga Presidenti i Lituanisë, Gitanas Nausëda, i cili thotë se një konflikt i mundshëm mund të shpërthejë brenda 4-5 viteve të ardhshme.
Ndërkohë, ndjesia e frikës dhe pasigurisë është duke u përhapur mes qytetarëve gjermanë. Industria ushtarake po përjeton një bum ekonomik – kompania Rheinmetall pritet të gjenerojë mbi 10 miliardë euro vetëm në vitin 2024. Sakaq, linjat e ndihmës psikologjike kanë raportuar mbi 1.3 milion thirrje, shumica prej tyre të lidhura me frikën nga lufta.
Në prag të vjeshtës, Hamburgu nuk do të jetë vetëm një qytet portual – por edhe një simbol i një Evrope që po zgjohet nga ëndrra e sigurisë së përhershme.
Stërvitja “Red Storm Bravo” nuk është vetëm një demonstrim force, por një sinjal politik dhe strategjik për Kremlinin. Ajo tregon gatishmërinë e NATO-s për të reaguar jo vetëm ushtarakisht, por edhe për të përfshirë civilët në një sistem mbrojtjeje gjithëpërfshirës. Ky është një transformim i qartë nga një epokë “paqësore” drejt një përgatitjeje serioze për konflikt – sidomos në vendet që dikur besonin se lufta ishte një realitet i së kaluarës. Gjermania është tashmë në qendër të këtij ndryshimi.

