Një ngjarje tronditëse ka tronditur qytetin Hanover të Gjermanisë dhe ka hapur debate të gjera në rrjetet sociale për sigurinë e grave myslimane në Evropë. Rahma Ayat, një 26-vjeçare me origjinë algjeriane, u vra brutalisht me thikë në mëngjesin e 4 korrikut në ndërtesën ku banonte, ndërsa dyshohet se motivi i sulmit lidhet me urrejtje racore dhe islamofobi.
Sipas mediave gjermane dhe burimeve nga familja e saj, Rahma ishte studente e infermierisë dhe kishte shkuar në Gjermani me ëndrrën për një jetë më të mirë dhe një diplomë që do t’i hapte dyert për një të ardhme profesionale. Por ëndrra e saj u ndërpre në mënyrën më të dhimbshme, pikërisht në ambientin që duhet të ishte më i sigurti për të — shtëpia e saj.
Raportohet se autori i dyshuar, një 31-vjeçar gjerman, banonte në të njëjtën ndërtesë me Rahmën, në lagjen Arnum të Hanoverit. Familja dhe miqtë e viktimës kanë deklaruar se Rahma i kishte kontaktuar disa herë në Algjeri, duke u ankuar se fqiu i saj e ngacmonte shpesh. Ai thuhet se i drejtohej me fjalë fyese, tallje dhe komente raciste, veçanërisht për mbajtjen e Hixhabit — shamisë së saj islame, që për të përfaqësonte besimin dhe identitetin e saj.
Në mëngjesin fatal, dëshmitarët thonë se kanë dëgjuar thirrjet e saj për ndihmë në shkallët e ndërtesës. Policia gjermane u njoftua menjëherë, por kur shërbimet e urgjencës mbërritën, Rahma kishte marrë plagë të shumta me thikë në kraharor dhe shpatull. Ajo nuk arriti t’i mbijetonte plagëve të rënda dhe ndërroi jetë pak momente më vonë.
Autori u arrestua atë ditë dhe ndodhet aktualisht në paraburgim, ndërsa hetimet vazhdojnë. Sipas burimeve të afërta me rastin, Rahma kishte bërë ankesa të përsëritura në polici për ngacmimet dhe sjelljen kërcënuese të fqinjit të saj. Megjithatë, sipas familjarëve, institucionet nuk kanë vepruar me seriozitet dhe nuk kanë ndërmarrë masa parandaluese.
Vdekja e saj ka shkaktuar zemërim të madh në komunitetin mysliman në Gjermani, por edhe në Algjeri. Organizatat për të drejtat e njeriut dhe përfaqësues të shoqërisë civile kanë bërë thirrje që ky rast të trajtohet si krim urrejtjeje, duke theksuar se urrejtja fetare dhe racore nuk mund të neglizhohet më në një shtet që pretendon të garantojë sigurinë e të gjithë qytetarëve të tij, pavarësisht origjinës apo besimit.
Në rrjetet sociale, qindra qytetarë kanë shpërndarë mesazhe ngushëllimi dhe kërkesa për drejtësi. Hashtage si #JusticeForRahma dhe #StopIslamophobia janë përdorur masivisht për të tërhequr vëmendjen e autoriteteve dhe për të mos lejuar që rasti i saj të kalojë në heshtje.
Familja e Rahmës, e cila ka udhëtuar nga Algjeria për të marrë trupin e saj, ka deklaruar se nuk do të ndalet së kërkuari drejtësi. Ata shprehen të zhgënjyer me institucionet gjermane, të cilat sipas tyre kanë dështuar të mbrojnë vajzën e tyre edhe pas paralajmërimeve të përsëritura.
Tragjedia e Rahma Ayat është kthyer në një rast simbolik që ngre pyetje të forta për sigurinë e grave myslimane në Evropë, për respektimin e lirisë fetare dhe për mënyrën se si trajtohen rastet e urrejtjes dhe diskriminimit. Për shumë njerëz, ky nuk është një rast i izoluar, por pjesë e një problemi më të madh që kërkon zgjidhje të shpejtë dhe të vendosur.
Në pritje të përfundimit të hetimeve, komuniteti mysliman dhe organizatat e të drejtave të njeriut theksojnë se nuk mjafton vetëm arrestimi i autorit — duhet të analizohet edhe përgjegjësia e institucioneve që nuk reaguan në kohë. Shumë aktivistë kërkojnë ndryshime konkrete në mënyrën se si policia dhe autoritetet gjermane e trajtojnë dhunën e motivuar nga urrejtja, për të mos lejuar që tragjedi të tilla të përsëriten.
