Tuesday, August 4, 2026
HomePolitikDjali i Jakup Krasniqit kërkon drejtësi: 15 vite burg për një simbol...

Djali i Jakup Krasniqit kërkon drejtësi: 15 vite burg për një simbol të lirisë

Në një postim prekës, Altin Krasniqi, djali i ish-kryetarit të Kuvendit të Kosovës dhe ish-zëdhënësit të UÇK-së, Jakup Krasniqi, ka kërkuar drejtësi për babanë e tij, i cili sipas tij, sot numëron 15 vite burg në total, të mbajtura në dy sisteme të ndryshme, por me të njëjtin qëllim: heshtjen e zërit të lirisë.

Në vend që të shijonte rolin e gjyshit pranë mbesave, Jakup Krasniqi sot, në moshën 74-vjeçare, po plaket në qelitë e Hagës. “Babë, edhe pse nuk mund të shijoje as rininë, as pleqërinë, e shijove Kosovën e lirë, të cilës aq shumë i dhe,” shkruan Altini në një status që ka prekur mijëra qytetarë.

Ai sjell në kujtesë historinë e gjatë të përndjekjes politike ndaj babait të tij: nga burgjet e Jugosllavisë deri në paraburgimin në Hagë. Jakup Krasniqi, dikur i dënuar me 14 vite burg nga autoritetet jugosllave më 1981, e pagoi me vite të tëra në qeli guximin për të thënë një fjali: “Unë nuk jam jugosllav, unë jam shqiptar.” Ky deklarim i kushtoi atij 10 vite, 3 muaj e 19 ditë burgim, derisa u lirua në korrik të vitit 1991.

Sot, tri dekada më pas, ai është sërish pas grilave, jo më nga Beogradi apo UDB-ja, por nga një drejtësi ndërkombëtare që, sipas Altinit, “po i shërben narrativës së Serbisë” duke mbajtur në burg zërat më të fuqishëm të çlirimit, ndërkohë që shumë nga krimet e Serbisë mbeten të pa ndëshkuara.

“Nga uniforma jugosllave, te kravata ndërkombëtare – babai im është dëshmi e gjallë se liria nuk fitohet me fjalë, por me burg, me pushkë dhe me jetë. Ai është simbol i një historie që disa do të donin ta fshinin: luftën e drejtë të një populli për liri,” thekson Altini.

Në këtë reagim, ai bën thirrje për ndërgjegjësim dhe veprim institucional: “Dhe nëse Kosova ende është shtet i pavarur, sovran dhe demokratik, nuk duhet të heshtë. Sepse sot është ai, nesër mund të jetë fati ynë historik që burgoset!”

Sipas tij, pesha e prangave që bart Jakup Krasniqi nuk e rrënoi babanë e tij, por do të rëndojë të ardhmen e Republikës së Kosovës, nëse shoqëria dhe institucionet zgjedhin të heshtin.

“Liria nuk është e plotë derisa i fundit i çlirimtarëve të jetë i lirë. Kosova nuk do të ketë qetësi derisa drejtësia të mos e njohë UÇK-në për atë që ishte: ushtria e një populli që kërkoi liri. Historia nuk e fal harresën. Dhe kombet që harrojnë, zhduken!” – përfundon ai.

Ky reagim vjen në një kohë kur shumë ish-udhëheqës të luftës në Kosovë po mbahen në paraburgim në Hagë, ndërsa shumë qytetarë e përjetojnë këtë si padrejtësi historike.

NovaFlash do të vazhdojë të sjellë zërin e të gjitha palëve dhe të raportojë me objektivitet për çështjet që prekin themelet e shtetësisë dhe historisë së Kosovës.

RELATED ARTICLES

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

Most Popular

Recent Comments