Miliarderi i njohur Elon Musk ka shpërndarë së fundmi në profilin e tij në rrjetin social X (ish-Twitter) një hartë të veçantë që paraqet nivelin e lindshmërisë në vendet e Evropës, duke vënë në qendër të vëmendjes edhe Kosovën.
Në këtë hartë, Kosova është theksuar me ngjyrë të gjelbër, e cila simbolizon një nga normat më të larta të lindshmërisë në kontinent. Sipas të dhënave të paraqitura, Kosova renditet ndër vendet me numrin më të madh të pritshëm të fëmijëve për familje, në një kohë kur pjesa më e madhe e Evropës përballet me norma gjithnjë e më të ulëta të natalitetit.
Harta tregon se shtetet evropiane kategorizohen sipas nivelit të lindshmërisë: më pak se një fëmijë konsiderohet “normë jashtëzakonisht e ulët”, deri në një fëmijë “normë e ulët”, deri në 1.5 fëmijë “normë e pamjaftueshme”, deri në 1.9 “normë afër zëvendësimit” dhe mbi 2.1 fëmijë “mbi normën e zëvendësimit”.
Postimi i Musk, i cili shpesh diskuton tema që lidhen me zhvillimet demografike, teknologjinë dhe të ardhmen e shoqërisë, ka nxitur reagime të shumta dhe diskutime mbi gjendjen e popullsisë në Evropë dhe rolin e familjeve të reja në ruajtjen e ekuilibrave demografikë.
Fakti që Kosova mbetet një ndër vendet me normën më të lartë të lindshmërisë shihet nga shumë analistë si një mundësi dhe një sfidë për zhvillimin ekonomik, përkushtimin ndaj rinisë dhe investimet në të ardhmen.
