Në disa pjesë të Kosovës, veçanërisht në veri, sot janë regjistruar erëra të forta që mund të sjellin vështirësi për qytetarët. Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës (IHMK) ka njoftuar se, megjithëse moti parashikohet të jetë kryesisht me diell dhe vranësira të pakta, nuk përjashtohet mundësia për reshje të izoluara shiu dhe rrufe.
Sipas IHMK, vranësirat që mund të formohen gjatë ditës mund të sjellin riga shiu dhe shkarkime elektrike në disa zona të vendit.
Temperaturat minimale në orët e mëngjesit do të luhaten nga 12°C deri në 16°C, ndërsa gjatë mesditës pritet të arrijnë maksimumin nga 26°C deri në 29°C.
Era do të fryjë nga verilindja, me intensitet të lehtë deri mesatar, nga 1 deri në 9 metra për sekondë.
IHMK apelon për kujdes të shtuar për qytetarët, sidomos në zonat ku mund të ketë shkarkime rrufesh. Personat që qëndrojnë në ambiente të hapura gjatë pasdites këshillohen të jenë të vëmendshëm dhe të shmangin qëndrimin nën pemë apo objekte metalike.
