Njësitë speciale të Policisë së Kosovës arrestuan në një operacion të koordinuar paraditen e enjtes Bojan Jevtic, një nga zyrtarët e lartë me gradë në Policinë e Kosovës në pjesën veriore të vendit.
Jevtic, i cili mbante pozicione kyçe si zëvendëskomandant dhe shef i operativës në një prej strukturave policore në zonën kufitare të “Dheu i Bardhë”, dyshohet për shpërdorim të sekretit shtetëror.
Operacioni i arrestimit u zhvillua në bashkëpunim mes Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë dhe Inspektoratit Policor, duke vepruar nën urdhër të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës.
Pas arrestimit, janë kryer bastisje në disa lokacione, përfshirë edhe zyrën e tij, ku janë sekuestruar pajisje elektronike që Prokuroria beson se përmbajnë prova për transferimin e informacioneve të ndjeshme jashtë vendit.
Ky rast hetohet me seriozitet të lartë, ndërsa autoritetet vazhdojnë me procesin e sigurimit të provave dhe zbardhjen e plotë të ngjarjes.
