Ferizaj po përballet me mungesë të theksuar të ujit si pasojë e temperaturave të larta dhe mungesës së reshjeve. Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Bifurkacioni” ka njoftuar se është detyruar të zbatojë reduktime në furnizim për të përballuar situatën.
Pavarësisht se fabrika për përpunimin e ujit në Pleshine dhe stacionet e pompimit po punojnë me kapacitet të plotë, kërkesa e lartë e qytetarëve dhe ulja e nivelit të burimeve ujore kanë detyruar kompaninë të kufizojë shpërndarjen.
“Në vendin tonë po mbretëron mot me temperatura shumë të larta, pa reshje. Si rezultat, burimet ujore janë në nivel të ulët dhe kërkesa është rritur jashtëzakonisht. Për këtë arsye kemi aplikuar reduktime. Për më tepër, kemi identifikuar edhe keqpërdorim të ujit, vaditje, larje veturash, të gjitha këto ndikojnë negativisht në furnizimin për qytetarët”, deklaroi Jeton Shabani, kryeshef ekzekutiv i KRU “Bifurkacioni”.
Situata më e rëndë paraqitet në rrugën “Brahim Ademi”, ku banorët thonë se janë pa ujë tërësisht dhe po kërkojnë mënyra alternative për ta grumbulluar atë.
“Sa i përket furnizimit, ne si lagje jemi në pikën zero. Me këto epruveta dhe hidroforë mundohemi të mbledhim pak ujë kur rjedha është minimale, për t’i përmbushur nevojat bazike”, tha Sabri Salihu, një banor i zonës.
Kompania “Bifurkacioni” u ka bërë thirrje qytetarëve që të shmangin keqpërdorimet dhe të përdorin ujin në mënyrë racionale, në mënyrë që të sigurohet furnizim i drejtë për të gjithë.
