Gisele Pelicot, gruaja franceze që tronditi Francën dhe opinionin publik botëror me rrëfimin e saj tronditës për dhunimin e përsëritur për më shumë se një dekadë, është nderuar me titullin më të lartë civil të vendit të saj.
Në prag të Ditës Kombëtare Franceze, 72-vjeçarja u shpall Kalorëse e Legjionit të Nderit, një nga dekoratat më prestigjioze të Republikës Franceze, si një simbol i guximit dhe mbijetesës.
Gisele Pelicot zgjodhi të dilte nga anonimati dhe të dëshmonte publikisht në një proces të profilit të lartë kundër bashkëshortit të saj, duke i dhënë zë një historie të errët që ndodhej për dekada pas dyerve të mbyllura.
Bashkëshorti i saj, Dominique Pelicot, gjithashtu 72 vjeç, u dënua në dhjetor të vitit të kaluar me 20 vite burg, pasi pranoi se e kishte droguar sistematikisht bashkëshorten dhe kishte lejuar rreth 50 burra ta përdhunonin ndërsa ajo ishte pa ndjenja në shtrat.
Historia e Gisele-s shkaktoi një debat të madh në Francë mbi abuzimin, heshtjen dhe mbrojtjen e viktimave. Emri i saj tashmë është bërë një simbol i forcës shpirtërore dhe kurajos për mijëra gra që përballen me dhunë e frikë.
Pelicot është përfshirë në një listë prej 589 personash të nderuar këtë vit nga presidenti Macron, duke u vlerësuar për qëndrueshmërinë e saj morale dhe ndikimin që rrëfimi i saj ka pasur për ndërgjegjësimin e shoqërisë.
