Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka shprehur shqetësimin e thellë për krizën humanitare që po zhvillohet në Gaza, duke dënuar ashpër sulmet që po shkaktojnë viktima në mesin e civilëve, veçanërisht tek fëmijët.
“Me lejoni të shpreh shqetësimin e thellë të Qeverisë së Republikës së Kosovës për krizën humanitare në Gaza. Sikurse kemi bërë edhe në të kaluarën, ne i dënojmë sulmet që rezultojnë me vdekje dhe lëndim të civilëve, veçanërisht të fëmijëve, të cilët po përballen me pasoja të rënda, pavarësisht faktit që nuk kanë asnjë përgjegjësi mbi konfliktin dhe situatën,” deklaroi Kurti.
Në kuadër të angazhimit për të ndihmuar popullin palestinez, Qeveria e Kosovës ka ndarë 500 mijë euro nga buxheti i saj si ndihmë humanitare për banorët e Gazës, që aktualisht po përballen me një krizë të rëndë.

Kurti gjithashtu theksoi përkushtimin e Qeverisë së tij për të mbështetur çdo përpjekje të partnerëve ndërkombëtarë për të arritur një armëpushim të menjëhershëm. Sipas tij, një armëpushim i tillë do të mundësonte “dërgimin e rregullt dhe të mjaftueshëm të ndihmave, lirimin e pengjeve dhe arritjen e një zgjidhjeje afatgjatë dhe të qëndrueshme midis izraelitëve dhe palestinezëve”.
Kjo deklaratë vjen në një moment kur komuniteti ndërkombëtar po kërkon zgjidhje urgjente për dhunën në rritje në Lindjen e Mesme, ndërkohë që Kosova rreshtohet në krah të atyre që bëjnë thirrje për ndalimin e menjëhershëm të gjakderdhjes
