Drafti i ri i Kodit Penal në Shqipëri ka hapur debat të gjerë publik dhe ka tërhequr vëmendjen e institucioneve ndërkombëtare, përfshirë edhe Delegacionin e Bashkimit Europian në Tiranë. Një nga pikat më të diskutuara të këtij drafti është neni 944, i cili parashikon deri në 3 vite burg për braktisjen e një kafshe, kur nga ky akt rrezikohet jeta apo shëndeti i saj.
Ky propozim e kualifikon braktisjen e kafshës si një vepër penale, duke e renditur përkrah krimeve të rënda që prekin rendin dhe sigurinë publike.
Por debati nuk ndalet aty. Neni 943 i të njëjtit draft përcakton sanksione të qarta për keqtrajtimin e kafshëve shtëpiake, me dënime që gjithashtu mund të shkojnë deri në 3 vite burg. Në rast se nga ky keqtrajtim kafsha humb jetën, masa penale rritet me 50%.
Kjo qasje ka ngjallur reagime të ndryshme. Nga njëra anë, mbrojtësit e të drejtave të kafshëve e konsiderojnë këtë si një hap të rëndësishëm drejt një shoqërie më humane. Nga ana tjetër, kritikët e shohin si disproporcionale, në një realitet ku krime të rënda ndaj njerëzve shpesh mbeten të pazbardhura dhe drejtësia vuan nga mungesa e efikasitetit.
Në një vend ku çështjet e sigurisë dhe krimit të organizuar janë ende në fokus të shqetësimeve publike, vendosja e dënimeve të tilla për çështje që lidhen me kafshët nxit pyetje legjitime për prioritetet e sistemit penal.
