Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka marrë sot një letër nga Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald J. Trump, e cila shënon një moment të veçantë në marrëdhëniet mes dy vendeve.
Në këtë letër, Presidenti Trump e falënderon Osmanin për përkushtimin e saj të palëkundur ndaj Shteteve të Bashkuara, duke e cilësuar si një lidere të guximshme dhe një mike të vërtetë të Amerikës. Ai thekson se vendimi i Kosovës për të pranuar shtetas nga vende të tjera, në kuadër të bashkëpunimit me SHBA-të, është një dëshmi e gatishmërisë dhe dhembshurisë së popullit kosovar.
“Shtetet e Bashkuara dhe Kosova ndajnë një lidhje të fortë, të ndërtuar mbi respekt të ndërsjellë, vlera të përbashkëta demokratike dhe një vizion për të ardhmen. Përkushtimi juaj për forcimin e kësaj marrëdhënieje është i çmuar, dhe jam i bindur se do të vazhdojmë të avancojmë qëllimet tona të përbashkëta,” shkruan Trump në letrën e tij.
Më tej, ai shton: “Ju falënderoj për lidershipin tuaj të guximshëm dhe për faktin që jeni një mike e vërtetë e Shteteve të Bashkuara. Mezi pres të punojmë së bashku në vitet që vijnë.”
Në fund, Presidenti amerikan përcjell edhe përshëndetjet dhe urimet më të mira nga Zonja e Parë, Melania Trump, për Presidenten Osmani.
Kjo letër e Presidentit Donald Trump shënon jo vetëm një mirënjohje personale për Presidenten Vjosa Osmani, por edhe një sinjal të qartë për vazhdimin e marrëdhënieve të ngushta Kosovë–SHBA. Duke përdorur terma si “lidership i guximshëm” dhe “mik i vërtetë”, Trump jo vetëm që forcon dimensionin politik të partneritetit, por edhe atë emocional. Për Kosovën, një mbështetje e tillë është strategjike, sidomos në një periudhë kur marrëdhëniet ndërkombëtare po përballen me sfida të reja. Nga ana tjetër, letra është një mesazh i koduar se SHBA pret nga Kosova të mbetet në linjë me politikat dhe interesat e saj në rajon.
