Vendimi i Gjykatës Kushtetuese për çështjen e konstituimit të Kuvendit të Kosovës fillimisht u prit si një hap që mund të zhbllokonte situatën politike. Megjithatë, reagimi i Lëvizjes Vetëvendosje, partia më e madhe në vend, duket se ka rikthyer pasigurinë.
Vetëvendosje e ka quajtur vendimin “kundërkushtetues” dhe e ka akuzuar Gjykatën për anshmëri, duke theksuar se ajo nuk ka të drejtë të krijojë norma të reja kushtetuese. Ky qëndrim ka shtuar skepticizmin në radhët e opinionit publik dhe të analistëve.
Analisti politik Blerim Canaj thotë se megjithëse vendimi i Kushtetueses i njeh partisë fituese të drejtën për të propozuar kryetarin e Kuvendit, procesi nuk mund të zhvillohet pa kompromis politik.
“Askush nuk po e mohon të drejtën e partisë së parë për postin e kryetarit të Kuvendit, por nuk mund të pritet që kjo të ndodhë me imponim. Politika është art i marrëveshjes, dhe pa kompromis rrezikohet bllokimi i skenës politike”, theksoi ai për Dukagjinin.
Canaj shtoi se është i shqetësuar nga tensionet e fundit në veri, duke paralajmëruar se situata të tilla mund të përdoren për të zhvendosur vëmendjen nga procesi politik.
“Sa herë që ka plane destruktive, shohim se ndodhin edhe provokime në veri. Edhe protesta e fundit e serbëve lokal mund të shihet në këtë prizëm,” tha ai.
Ndërkohë, analisti Afrim Kasolli vlerëson se Vetëvendosje mund të mos ndërmarrë hapa drejt konstituimit të Kuvendit pa presion të fuqishëm ndërkombëtar.
“Sipas tyre, ky vendim është një ndërhyrje në punën e Kuvendit dhe një formë e ‘vjedhjes së demokracisë’. Në këtë logjikë, moszbatimi i tij shihet si mbrojtje e parimeve demokratike,” tha Kasolli.
Aktualisht, çështja mbetet e hapur dhe e varur nga zhvillimet politike të ditëve në vijim, si dhe nga presioni i faktorit ndërkombëtar për shmangien e një krize të zgjatur institucionale.
Situata e krijuar pas vendimit të Kushtetueses e vendos Kosovën përballë një prove të rëndësishme të pjekurisë institucionale. Nëse Vetëvendosje vazhdon të kundërshtojë vendimin dhe të mos marrë pjesë në procesin e konstituimit, rreziku i bllokimit politik është real. Nga ana tjetër, presioni ndërkombëtar mund të bëhet faktor vendimtar për të detyruar palët të gjejnë një kompromis.
Kjo çështje nuk është thjesht një debat juridik; është një test për funksionimin e shtetit të së drejtës dhe për gatishmërinë e forcave politike që interesin e vendit ta vendosin mbi interesin partiak. Në këtë moment, zgjidhja kërkon diplomaci të brendshme, ndërhyrje të matur ndërkombëtare dhe mbi të gjitha, vullnet politik për të mos lejuar një krizë të re institucionale.
