Një histori që qarkulloi gjerësisht dje në rrjete sociale dhe media, e cila pretendonte se një shqiptar nga Maqedonia, i quajtur Astrit S., kishte rrahur djalin e Arkanit, ka marrë një kthesë të papritur.
Lajmi fillimisht u publikua nga ish-deputeti Azgan Haklaj, e më pas u përforcua nga një intervistë që Astriti dha pasditen e së hënës, ku ai rrëfente versionin e tij të ngjarjes. Sipas pretendimeve të tij, përplasja kishte ndodhur të dielën dhe kishte përfunduar me “pasoja” për djalin e Arkanit.
Por, sipas bashkëshortes së Astritit, kjo histori nuk ka asnjë bazë. Në një prononcim për “Prive” të Liberta Spahiut, ajo ka theksuar se burri i saj vuan nga probleme të shëndetit mendor dhe të dielën ka qenë në shtëpi me familjen.
“Nuk është e vërtetë. Astriti trajtohet për probleme të shëndetit mendor. Ai nuk e njeh dhe nuk e ka takuar kurrë djalin e Arkanit. Si familje jemi të shqetësuar nga kjo e pavërtetë”, – u shpreh ajo.
Në një reagim të shkruar, ajo shtoi se gazetaret dhe mediat që kanë intervistuar Astritin kanë vepruar në mënyrë të papërgjegjshme duke mos verifikuar informacionin para publikimit.
“Kërkojmë nga të gjitha platformat që kanë shpërndarë këtë informacion të gabuar të bëjnë korrigjim dhe të heqin përmbajtjet përkatëse”, – theksoi ajo.
Ngjarja ngre një pikëpyetje të madhe mbi etikën dhe standardet e verifikimit të informacionit në disa media, duke kujtuar rëndësinë e kontrollit të burimeve para publikimit.
