Serbia edhe një herë tregoi fytyrën e saj të vërtetë. Pas lirimit të gjeneralit Nebojsha Pavkoviq – kriminel i dënuar për vrasje, zhvendosje të dhunshme dhe persekutime ndaj shqiptarëve të Kosovës – udhëheqësit më të lartë serbë nuk folën për krimet, por e shpallën “hero të Serbisë”.
Ky është turpi më i madh i një shteti që vazhdon të glorifikojë vrasësit, të mohojë krimet dhe të poshtërojë kujtimin e mijëra viktimave të pafajshme. Pavkoviqi, i dënuar me 22 vjet burg për rolin e tij në masakrat e vitit 1999, u prit në Beograd me avion qeveritar, sikur të ishte shpëtimtari i kombit, e jo një nga përgjegjësit kryesorë për gjenocidin mbi popullin shqiptar.
Presidenti Aleksandar Vuçiq e quajti atë “heroik”, duke harruar qindra fëmijë të vrarë, gra të masakruara dhe mijëra familje të shkatërruara. Ky mesazh është i qartë: Serbia as nuk pendohet, as nuk pranon fajin, përkundrazi – i kthen në simbole ata që janë dënuar nga drejtësia ndërkombëtare.
Nga organizatat e të drejtave të njeriut në Beograd vetë u paralajmërua se kjo qasje është e rrezikshme. Serbia jo vetëm që refuzon të ndërtojë marrëdhënie fqinjësore, por propagandon një narrativë revizioniste, duke mohuar faktet e njohura nga gjykatat ndërkombëtare.
Në Kosovë, reagimi i familjeve të viktimave është i pritshëm: dhimbje e re mbi plagë të vjetra. Për ta, lirimi i Pavkoviqit dhe festimi i tij në Beograd është një fyerje e rëndë, një shkelje mbi gjakun e 13 mijë shqiptarëve të vrarë apo zhdukur gjatë luftës.
Serbia sot jo vetëm që nuk distancohet nga krimet, por me krenari i përqafon ato. Ky shtet, që ende refuzon të njohë Masakrën e Reçakut si krim, dhe që mohon gjenocidin, nuk mund të flasë për pajtim. Pajtimi nuk ndërtohet mbi lavdërimin e kriminelëve, por mbi pranimin e së vërtetës dhe mbi kërkimfaljen e sinqertë.
Deri atëherë, Serbia mbetet peng i politikës së turpit, ku gjenerali i Hagës quhet “hero”, ndërsa viktimat harrohen. Dhe kjo është dëshmia më e qartë se krimi në Serbi ende nuk është dënuar moralisht, por vetëm në letra gjykatash.
