U.d. Kryeprokurori i Shtetit, Besim Kelmendi, merr pjesë në Forumin IV të kryeprokurorëve të Përgjithshëm të Ballkanit
Prishtinë, 6 tetor 2025 – Ushtruesi i detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, z. Besim Kelmendi, po përfaqëson Kosovën në Forumin e IV të kryeprokurorëve të Përgjithshëm të shteteve të Ballkanit, që po mbahet në Sofje të Bullgarisë. Ftesa është bërë nga Kryeprokurori i Republikës së Bullgarisë, z. Borislav Sarafov, në bashkëpunim me Kryeprokurorin e Republikës së Turqisë, z. Muhsin Şentürk.
Në delegacionin e Kosovës marrin pjesë gjithashtu prokurori i Zyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, z. Aleksandër Lumezi, drejtori i Sekretariatit të Këshillit Prokurorial të Kosovës, z. Sami Istrefi dhe shefi i Kabinetit të u.d. Kryeprokurorit, z. Ardian Nikolla.
Gjatë fjalës së tij në sesionet e forumit, Kelmendi theksoi rëndësinë e bashkëpunimit rajonal dhe ndërkombëtar për të përballuar krimet që tejkalojnë kufijtë kombëtarë. Ai nënvizoi se krimet transnacionale janë një sfidë e përbashkët dhe se asnjë shtet nuk mund të përballet i vetëm me kërcënime të tilla komplekse.
Kelmendi prezantoi arritjet e Prokurorisë Speciale të Kosovës në hetimin e rasteve të krimit të organizuar dhe terrorizmit, si dhe rezultatet konkrete në sekuestrimin e pasurive të përfituara në mënyrë të paligjshme. Ai vuri theksin edhe në rëndësinë e transparencës, integritetit dhe efikasitetit të institucioneve të drejtësisë, duke apeluar për ndërtimin e besimit të ndërsjellë midis prokurorive të rajonit.
Në vijim, u.d. i Kryeprokurorit të Shtetit kërkoi forcimin e shkëmbimit të informacioneve dhe harmonizimin e praktikave përmes një bashkëpunimi të qëndrueshëm ndërinstitucional. Sipas tij, vetëm nëpërmjet besimit dhe mbështetjes së ndërsjellë mund të ndërtohet një rajon më i sigurt, më i drejtë dhe më i integruar.
Forumi, i cili ka për qëllim nxitjen e bashkëpunimit ndërmjet prokurorive të Ballkanit në fushën e drejtësisë penale, ka mbledhur figura të larta të institucioneve të drejtësisë, përfshirë Kryeministrin e Bullgarisë, z. Rossen Jeliazkov, Ministrin e Drejtësisë, z. Georgi Georgiev, presidentin e Eurojust-it, z. Michael Schmid, dhe përfaqësues të lartë nga vendet e Ballkanit Perëndimor, si dhe nga Bullgaria, Turqia, Sllovenia e Rumania.
Pjesëmarrja e Besim Kelmendit në Forumin e kryeprokurorëve të Ballkanit është një sinjal i qartë se Kosova po forcon profilin e saj institucional në arenën rajonale të drejtësisë. Mesazhi i tij për bashkëpunim, integritet dhe besim të ndërsjellë është në linjë me prioritetet e vendeve evropiane që kërkojnë koordinim më të madh në luftën kundër krimit të organizuar.
Në një kohë kur rajoni i Ballkanit përballet me sfida të ndërlidhura – nga pastrimi i parave deri te trafiku ndërkufitar – roli i institucioneve të pavarura të drejtësisë bëhet jetik. Qasja e Kelmendit, që thekson nevojën për shkëmbim të vazhdueshëm informacioni dhe sekuestrim të pasurive të paligjshme, është një reflektim i përpjekjeve për të kaluar nga reagimi në parandalim.
Ky forum përfaqëson një hap më afër integrimit të drejtësisë së Kosovës në rrjetet ndërkombëtare dhe një dëshmi se vendi po kërkon të jetë pjesë aktive e politikave të përbashkëta të sigurisë dhe sundimit të ligjit në Ballkan.
Burimi: Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit të Republikës së Kosovës
