Një deklaratë e papritur politike ka tërhequr vëmendjen e publikut në Kosovë.
Kryeministri Albin Kurti, i njohur për qëndrimet e tij kritike ndaj ish-krerëve të UÇK-së, këtë herë ka shprehur hapur mbështetje për lirimin e tyre nga paraburgimi në Hagë.
“Nuk ka as arsye ligjore, as morale që të mbahen më në paraburgim,” — deklaroi Kurti, duke shtuar se Prokuroria tashmë e ka përfunduar rastin dhe nuk ekzistojnë më dëshmitarë që mund të ndikohet.
Në postimin e tij, Kurti kujtoi momentin kur më 5 nëntor 2020, menjëherë pas vendosjes së luleve në varrin e Astrit Deharit, Rexhep Selimi ishte arrestuar dhe dërguar në Hagë. Ai shtoi se tashmë kanë kaluar pesë vite që Selimi, Hashim Thaçi, Kadri Veseli dhe Jakup Krasniqi mbahen në paraburgim, ndërsa “arsyeja e njëjtë përsëritet në çdo vendim për refuzimin e lirimit — ‘rreziku i ndikimit mbi dëshmitarët’.”
Kurti theksoi se:
“Kështu kam menduar që nga dita e parë. Kemi punuar gjatë dhe me përkushtim për këtë çështje, në heshtje, sepse shpesh puna e mirë bëhet pa zhurmë. Por ndonjëherë puna që nuk shihet, nuk dihet.”
Ai përmendi se si Kryetar i Lëvizjes Vetëvendosje! dhe si deputet, kishte paraqitur argumente kundër formimit të kësaj gjykate, ndërsa si Kryeministër, zyrtarisht ka kërkuar lirimin e tyre që nga fillimi i mandatit.
Në vijim, Kurti publikoi edhe letrën që i kishte dërguar drejtpërdrejt znj. Trandafilova në shtator të vitit 2022, ku kërkonte lirimin e krerëve të UÇK-së. Ai tha se e bën publike tani “për një arsye të vetme — sepse është e drejtë që ata të kthehen në shtëpitë e tyre, pranë familjeve, dhe ta mbrojnë në liri luftën e drejtë çlirimtare të Kosovës.”
Gjyqi ndaj Thaçit, Veselit, Krasniqit dhe Selimit nisi në vitin 2023 dhe po shkon drejt përfundimit. Të katërt ata i mohojnë akuzat për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit të pretenduara për periudhën e viteve 1998–1999.
Kjo deklaratë e Kurtit, e bërë në pesëvjetorin e arrestimit të tyre, ka ndezur reagime të shumta politike e publike, pasi është ndër rastet e rralla kur ai shprehet hapur në mbështetje të ish-liderëve të UÇK-së që aktualisht po gjykohen në Hagë.
