Një qytetar i ka drejtuar redaksisë së JOQ Albania me një kërkesë të pazakontë dhe që ka ndezur debat: ai propozon që çdo fëmijë që lind në Shqipëri t’i nënshtrohet një testi të detyrueshëm ADN.
Sipas tij, ky veprim do të ndihmonte në mbrojtjen e nderit të familjes dhe në parandalimin e shkatërrimit moral që, sipas tij, po përfshin shoqërinë shqiptare. Qytetari e lidh këtë ide me ngjarjet e dhunshme dhe tragjike që kanë ndodhur në vend vitet e fundit, duke përmendur raste të dhunës dhe vrasjeve brenda familjeve. Ai argumenton se rrënjët e këtyre fenomeneve qëndrojnë në mashtrimet dhe gënjeshtrat e heshtura brenda familjeve shqiptare.
Në mesazhin e tij, qytetari bën thirrje që shteti të marrë masa ligjore për të bërë testin e ADN-së të detyrueshëm për çdo lindje të re, duke e konsideruar këtë si një mënyrë për të “shpëtuar moralin dhe nderin e kombit”.
Mesazhi i plotë i qytetarit:
“Prsh JOQ, shpresoj t’a publikoni. Thirrje për drejtësi në familje: Test ADN për çdo fëmijë që lind në Shqipëri!
Çdo ditë po zgjohemi me lajme që të thyejnë shpirtin: babai vret djalin, djali ther nënën, burri përdhunon vajzën, vëllai qëllon vëllanë.
Shoqëria po shpërbëhet dhe askush s’e pyet pse.
Por e vërteta është e thjeshtë dhe e hidhur:
Familja shqiptare është minuar nga mashtrimi, nga gënjeshtrat e heshtura brenda mureve të shtëpisë. Janë me dhjetëra burra që rrisin fëmijë që nuk janë të tyre, pa e ditur kurrë. Janë me qindra fëmijë që rriten në gënjeshtër, pa e ditur kush është gjaku i tyre.
Dhe askush nuk mban përgjegjësi. Është koha që shteti të marrë masa të forta: Të bëhet test ADN i detyrueshëm për çdo fëmijë që lind në Shqipëri. Vetëm kështu mund të mbrojmë nderin e familjes dhe të ndalim këtë shkatërrim moral që po e turpëron kombin.
Nuk është çështje burrash apo grash, është çështje e së vërtetës. Sepse kush mashtron për gjakun, nuk mashtron vetëm një njeri, por tradhton gjithë kombin. Shqipëria ka nevojë për të vërtetën. Dhe e vërteta nis nga ADN-ja.”
Shënime dhe kontekst
- Ky propozim është qëndrim personal i qytetarit, nuk përfaqëson qëndrimin e redaksisë së JOQ Albania.
- Publikimi i këtij mesazhi ka për qëllim hapjen e një debati publik mbi rëndësinë e ADN-së dhe ndikimin e saj në moralin dhe nderin e familjes.
- Debati mbi etikën, privatësinë dhe ligjshmërinë e një testi të detyrueshëm ADN ka marrë vëmendje në shumë vende, dhe ky propozim shqiptar vendos të njëjtën çështje në skenën lokale.
