Analisti politik, Valon Syla, ka komentuar zhvillimet e fundit në skenën politike të Kosovës, duke kritikuar qasjen e Lëvizjes Vetëvendosje (VV) dhe presidentes Vjosa Osmani lidhur me procesin e shpalljes së zgjedhjeve.
Në emisionin “Pressing”, Syla tha se Vetëvendosje po përpiqet të shtyjë afatet kushtetuese, pasi – sipas tij – frikësohet të hyjë në zgjedhje në një moment të papërshtatshëm. “VV po i shtyn zgjedhjet se po tutet me hy në zgjedhje”, deklaroi ai.
Duke komentuar rolin e presidentes Osmani, Syla e quajti atë “sekretareshë të Kurtit”, duke shtuar se ajo e ka tradhtuar partinë e saj për interesa personale. “Kjo e ka tradhtu partinë e vet për interes të vet, qashtu e tradhton edhe Republikën. Vjosa Osmani që u folke notere e Kurtit, kjo doli sekretareshë”, tha Syla me tone kritike.
Ai shtoi se VV po tenton të manipulojë me kohën për ta mbajtur pushtetin sa më gjatë, duke kujtuar rastin e deputetit Glauk Konjufca. “Njeriun që s’e ka lanë kërkun me dalë, e qiti Glaukun…”, u shpreh Syla, duke aluduar në mënyrën si VV po menaxhon figurat brenda partisë dhe institucionet kushtetuese.
Sipas analistit, ky lloj kalkulimi politik mund të ketë pasoja për imazhin e VV-së, e cila dikur mburrej për transparencë dhe integritet institucional. Ai paralajmëroi se nëse vazhdon kjo qasje, partia mund të humbasë besimin e elektoratit që e solli në pushtet me premtime për ndryshim.
Deklaratat e Valon Sylës reflektojnë një pakënaqësi të përgjithshme që po krijohet në opinionin publik lidhur me mënyrën se si pushteti aktual po menaxhon tranzicionin politik. Kur opozita dhe analistët flasin për “lojë me afate”, nënteksti është frika e humbjes së terrenit elektoral. Në anën tjetër, përplasja simbolike “Osmani–Kurti” po shihet si përçarje brenda boshtit qeverisës, ku presidentja perceptohet më shumë si vazhdim i linjës së VV-së sesa si balancë institucionale.
Nëse zgjedhjet do të shtyhen përtej afateve që parashikon kushtetuta, VV rrezikon të akuzohet për “kapje të institucioneve” – një etiketë që dikur ia vinte të tjerëve. Kjo situatë mund të përshpejtojë edhe rënien e mbështetjes publike, veçanërisht nëse qytetarët e shohin zvarritjen si manovër për të ruajtur pushtetin, jo për stabilitetin e shtetit.
