Në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), pamjet flasin më shumë se çdo deklaratë.
Ashensori kryesor që lidh shërbimet e Radiologjisë (kati i dytë) dhe Bio-Kimisë (kati i tretë) është jashtë funksionit prej gati tre vitesh, dhe mënyra si është “siguruar” rrezikon më shumë se sa mbron: një stereopol i dëmtuar dhe një shirit i kuq “STOP” janë e vetmja mbrojtje për një hapësirë që çon drejt boshllëkut të ashensorit.
Kjo pamje tronditëse tregon se në vend që të riparohet, problemi është thjesht mbuluar me improvizime, ndërsa çdo ditë qindra pacientë, përfshirë gra shtatzëna, të moshuar dhe persona me vështirësi në lëvizje, detyrohen të ngjiten shkallëve për të arritur te shërbimet bazike të spitalit.
Në këtë objekt, pacientët që kërkojnë ekzaminime radiologjike apo analiza laboratorike, duhet të përballen me lodhje fizike, pritje të gjata dhe rrezik në çdo hap.
Ndërkohë, institucionet përgjegjëse – përfshirë Shërbimin Spitalor Klinik Universitar të Kosovës dhe Ministrinë e Shëndetësisë – vazhdon të heshtin, pa dhënë asnjë afat për rregullimin e ashensorit.
Një punonjës i QKUK-së, që kërkoi të mbetet anonim, tha se “ashensori është jashtë funksionit që nga pandemia, dhe askush s’ka marrë mundimin ta rregullojë. E kanë mbyllur vetëm me një tabelë, dhe kjo është e gjitha”.
Në një institucion që duhet të garantojë siguri e kujdes për çdo pacient, ky ashensor i harruar është kthyer në simbol të papërgjegjësisë publike, duke dëshmuar sa e brishtë mbetet infrastruktura shëndetësore e Kosovës.

Pamja e një ashensori të rrethuar me një shirit dhe një copë steriopol në qendrën më të madhe spitalore të vendit është metaforë e qartë e sistemit shëndetësor kosovar – improvizim, vonesë dhe mungesë përgjegjësie.
Në vend që të ofrohet siguri, pacientëve u ofrohet një zgjidhje e përkohshme që nuk i mbron, por rrezikon.
Për tri vite me radhë, askush nuk ka marrë përgjegjësi për ta riparuar, ndërsa çdo ditë dhjetëra pacientë sillen nëpër korridore duke kërkuar ndihmë.
Ky nuk është thjesht dështim teknik – është dështim institucional dhe moral, që tregon se shëndeti publik është trajtuar me indiferencë.
Një ashensor që nuk funksionon në një spital nuk është thjesht “makinë e prishur”. Është pengesë për trajtim, është vonesë në shërbim, dhe në raste emergjente, mund të jetë rrezik për jetën e pacientëve.
QKUK ka nevojë për zgjidhje, jo shirita paralajmërues.
