Opinionistja e njohur, Neda Balluku, ka kërkuar zyrtarisht divorcin nga bashkëshorti i saj, Ogren Balluku, vëllai i ministres Belinda Balluku, duke i dhënë fund një martese dhjetëvjeçare që dikur konsiderohej ndër më të qëndrueshmet e ekranit shqiptar.
Burime të VoxNews.al bëjnë me dije se kërkesa për divorc është dorëzuar këtë të hënë në gjykatë, pas muajsh të tërë krizash dhe mosmarrëveshjesh mes çiftit.
Romanca e tyre nisi në vitin 2010, brenda shtëpisë së “Big Brother Albania 4”, ku u njohën si konkurrentë. Dashuria e ekranit u kthye në martesë në vitin 2015, dhe pas martesës çiftit i lindi edhe vajza e tyre e vogël, Suzie Ann.
Edhe pse gjithmonë ka ruajtur privatësinë e saj, Neda Balluku pritet të flasë për herë të parë publikisht mbi ndarjen gjatë emisionit “Goca dhe Gra”, ku do të jetë e ftuar nesër.
Ky është një fund i papritur për një histori që nisi para syve të publikut vite më parë dhe për shumëkënd ishte shembull i dashurisë që i reziston kohës. Publiku mbetet i etur të dijë nëse Neda do të zbulojë arsyet e vërteta pas këtij vendimi që ka surprizuar të gjithë.
