Pejë, nëntor 2025 – Pas një procesi të gjatë gjyqësor që ka zgjatur mbi një dekadë, fëmijët e ish-profesorit të ndjerë Sokol Domniku, Mirjeta Diellza Domniku dhe Engjull Domniku, kanë fituar përfundimisht çështjen gjyqësore kundër Universitetit “Haxhi Zeka” në Pejë (UHZ).
Me aktgjykim përfundimtar, gjykata ka refuzuar ankesën e Universitetit “Haxhi Zeka” dhe ka vërtetuar të drejtën e paditësve si trashëgimtarë të rendit të parë ligjor të të ndjerit profesor Domniku.
Në vendimin e gjykatës thuhet se janë anuluar si të pavlefshme:
- Vendimi i veçantë disiplinor me referencë nr. 03.878/14, datë 15.07.2014, dhe
- Vendimi i Komisionit të Ankesave me referencë nr. 01.1115/14, datë 03.09.2014,
të cilët kishin të bënin me largimin e padrejtë të profesor Domnikut nga puna në Fakultetin e Biznesit të universitetit.
Gjykata ka urdhëruar gjithashtu që Universiteti “Haxhi Zeka” t’u kompensojë paditësve Mirjeta Diellza dhe Engjull Domniku një shumë të caktuar parash, deri në pagesën përfundimtare, brenda afatit ligjor prej shtatë (7) ditësh nga dita e aktgjykimit, në të kundërtën – në kërcënim të përmbarimit me dhunë.
Ky vendim vjen pas një serie procedurash gjyqësore që kishin nisur pas vdekjes së profesorit Domniku, i cili kishte kundërshtuar shkarkimin e tij si të padrejtë dhe në kundërshtim me ligjin e punës dhe statutin e universitetit.
Familja Domniku e ka cilësuar këtë vendim si një akt drejtësie të vonuar, por të merituar, ndërsa vendimi i sotëm shënon mbylljen përfundimtare të një çështjeje që ka zgjatur mbi 11 vite në sistemin gjyqësor të Kosovës.
