Ambasada e Republikës së Kosovës në Slloveni ka lëshuar një njoftim për publikun pas raportimeve të shtetasve kosovarë lidhur me mungesën e targave të veturave të tyre, menjëherë pas përfundimit të ndeshjes së futbollit Slloveni–Kosovë.
Sipas ambasadës, pas ndeshjes janë pranuar disa thirrje telefonike nga qytetarë të Republikës së Kosovës të cilët kanë raportuar se targat e veturave të tyre janë hequr. Bazuar në informacionet e para, dyshohet se disa automjeteve u janë larguar targat nga persona të panjohur.
Ambasada ka komunikuar drejtpërdrejt me disa prej qytetarëve të prekur dhe u ka rekomanduar që të mos e lëvizin veturën para se të kontaktojnë Policinë e Sllovenisë dhe të marrin një raport zyrtar, për të shmangur çdo problem tjetër ligjor.
Në njoftim thuhet se Ambasada e Kosovës në Slloveni është duke u marrë me rastin dhe po koordinon veprimet me autoritetet përkatëse sllovene, me qëllim që situata të sqarohet sa më shpejt.
Institucioni diplomatik thekson se mbetet në komunikim të vazhdueshëm, si me shtetasit e prekur, ashtu edhe me Policinë e Sllovenisë, dhe se do të informojë publikun për çdo zhvillim të ri.
