Ferizaj, 16.11.2025 – Policia e Kosovës ka njoftuar se një shofer është ndëshkuar për tejkalim të madh të shpejtësisë në territorin e Ferizajt. Njësia e Komunikacionit Rrugor, më 15 nëntor 2025 rreth orës 19:40, ka ndaluar shoferin M.S., 37 vjeç, në rrugën magjistrale Ferizaj–Prishtinë, në fshatin Prelez i Jerlive.
Ai po drejtonte veturën VW Golf me targa vendore dhe është kapur duke lëvizur me 124 km/h në zonë ku kufizimi është vetëm 60 km/h, duke rrezikuar veten dhe pjesëmarrësit e tjerë në trafik.
Për këtë shkelje të rëndë, policia i shqiptoi gjobë prej 300 euro, si dhe masën plotësuese të ndalimit të drejtimit të automjetit për 3 muaj në territorin e Republikës së Kosovës, pasi shoferi posedonte patentë shoferi të huaj.
Policia Rajonale në Ferizaj i apelon të gjithë drejtuesve të automjeteve të respektojnë kufizimet e shpejtësisë dhe rregullat e komunikacionit, duke theksuar se tejkalimi i shpejtësisë mbetet një nga shkaqet kryesore të aksidenteve me pasoja të rënda.
Po ashtu, policia njofton se do të shtojë kontrollet me radarë në të gjitha rrugët e rajonit për rritjen e sigurisë rrugore dhe fton qytetarët të raportojnë çdo parregullsi në numrat:
192, 0290/326-250, 0290/322-406
ose përmes aplikacionit “Lajmëro Policinë”.
Të gjitha raportimet, siç theksohet, trajtohen në konfidencialitet të plotë.
