Prishtinë – Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, mori pjesë në një darkë joformale ministrore BE-Ballkan Perëndimor, e cila ofroi një mundësi të rëndësishme për të diskutuar çështje me interes të ndërsjellë për rajonin, sigurinë dhe procesin e zgjerimit të Bashkimit Evropian.
Gjatë takimit, Bislimi theksoi se Kosova meriton marrjen e statusit të vendit kandidat dhe avancimin në rrugën drejt BE-së. “Progresi i Kosovës në katër vitet e fundit ka dëshmuar se jemi më të përgatitur se kurrë për një hap të tillë,” tha ai.
Ai shtoi se avancimi i Kosovës drejt Bashkimit Evropian përfaqëson një përgjigje të rëndësishme ndaj kërcënimeve të sigurisë dhe rreziqeve që vijnë nga ndërhyrjet e jashtme, elementët malinj dhe sulmet e vazhdueshme të fqinjit verior ndaj integritetit territorial të vendit.
Zëvendëskryeministri falënderoi Përfaqësuesen e Lartë të BE-së për Punë të Jashtme dhe Politikë të Sigurisë, Kaja Kallas, për ftesën dhe Komisioneren e Bashkimit Evropian për Zgjerim, Marta Kos, për mundësinë për të diskutuar çështje me interes të përbashkët për rajonin dhe Evropën.
Ky takim konsiderohet një hap i rëndësishëm për forcimin e dialogut rajonal dhe integrimin evropian të Kosovës, duke ofruar një platformë për koordinim mbi sfidat e sigurisë dhe bashkëpunimin ekonomik dhe politik.
